Bëri masakër me 8 të vrarë në qendrën tregtare në Teksas, identifikohet autori

Autoritetet në Teksas kanë identifikuar sulmuesin e armatosur që vrau tetë persona, përfshirë edhe fëmijë, në një qendër tregtare në Dallas. Sulmuesi është identifikuar si Mauricio Garcia, 33 vjeç.

Garcia, banor i Dallasit, u vra nga një zyrtar policor, që doli në vendin e ngjarjes.
Presidenti amerikan, Joe Biden, e përshkroi sulmin si “aktin e fundit të dhunës me armë zjarri që ka shkatërruar kombin tonë”.

Mediat amerikan cituan hetuesit të kenë thënë se Garcia mund të ketë pas lidhje me të djathtën ekstreme, siç sugjerohej edhe nga logot që kishte pasur të vendosura në rrobat e tij.

Ai përdori pushkë të stilit AR-15 dhe kishte të vendosur një logo ku shkruante RWDS, shkurtesë për “Skuadrën e Vdekjes të Krahut të Djathtë”, që besohet se është grup neo-nazist.

Sipas dëshmitarëve, sulmuesi i armatosur kishte dalë nga makina e tij në parkingun e qendrës tregtare dhe kishte nisur të qëllonte drejt qytetarëve.

Gjashtë persona vdiqën në vendin e ngjarjes, ndërkaq dy të tjerë në spital. Të paktën edhe tre persona vazhdojnë të jenë në gjendje kritike.

Garcia po ashtu kishte me vete një pistoletë, ndërkaq edhe armë të tjera u zbuluan në makinën e tij.

Presidenti Biden ka konfirmuar se në mesin e të vrarëve ka edhe fëmijë, duke shtuar se “shumë familje kanë karrige të zbrazëta në tavolinat e tyre”, teksa u bëri thirrje sërish anëtarëve të Partisë Republikane që të mbështesin kontrollet më të ashpra të armëve.

Garcia raportohet se ka punuar si roje sigurimi dhe nuk kishte ndonjë të kaluar kriminale.

Pas kësaj ngjarjeje që ndodhi të dielën, presidenti Biden urdhëroi që flamujt amerikanë të uleshin në gjysmë shtizë në të gjitha ndërtesat federale.

Sipas të dhënave, SHBA-ja ka numrin më të lartë të vdekjeve nga armët e zjarrit se çdo shtet tjetër i zhvilluar. Më 2021, 49.000 persona kishin vdekur nga armët e zjarrit, ndërkaq një vit më herët ky numër kishte qenë 45.000. /REL


Shtuar 8.05.2023 09:46