Elvis Kosova, për të cilin u raportua se ishte pronari i automjetit tip Benz, me të cilin po udhëtonin Gilmando Dani, viktimë e atentatit të djeshëm dhe Muçi Shaljani (Sheqeri), ka reaguar lidhur me vrasjen e djeshme të ndodhur në aeroportit të Rinasit, duke mohuar çdo lidhje me ngjarjen.
Në një koment në rrjete sociale Elvis Kosova, shkruan se automjeti është në pronësi të kompanisë.
Kosova njihet si biznesmen në fushën e shitblerjes së automjeteve dhe zotëron edhe një biznes për makina me qira.
“As nuk e mbaj mend ta kem pasur ndonjëherë këtë makinë. Nuk është në emrin tim fare, është në emër të kompanisë. Sa makina hyjnë e dalin nga kompanitë e mia, s’di, s’kam fjalë me këto. Zot na ruaj”,-shkruan Vis Kosova në një koment në rrjete sociale.
Elvis Kosova, nuk është një emër i panjohur për policinë. Jo më larg se verën e këtij viti, atij iu vendos një sasi lënde plasëse në portën hyrëse të garazhit të tij në zonën e “Liqenit të Thatë” në Tiranë.
Ndërsa në gusht të vitit 2024, ai u ndalua për vjedhjen e një makine luksoze “Audi R8”, me vlerë rreth 200 mijë euro, që ishte sjellë fillimisht nga Gjermania nga një turk, dhe më pas ishte përvetësuar nga Elvis Kosova përmes mashtrimit.



