Bënin kontrabandë floriri në Shqipëri, agjentët francezë “zbarkojnë” në SPAK

Agjentët francezë kanë mbërritur në Tiranë për të marrë në pyetje të arrestuarit e grupit kriminal të goditur nga SPAK të kontrabandës së floririt dhe bizhuterive të vjedhura nga Franca në Shqipëri, si dhe transportonin shuma të padeklaruara parash nga Shqipëria në Francë.

Mësohet se si pjesë e hetimit të përbashkët, agjentët francezë në ambientet e Strukturës së Posaçme morën në pyetje disa prej shtetasve shqiptarë të arrestuar me kërkesë të Prokurorisë së Posaçme në datën 16 Qershor. Hetuesit francezë kanë kërkuar të dhëna mbi rolin e gjithësecilit dhe njohjet që këta persona kanë me të tjerë shtetas të identifikuar në Francë.

Hetimi i SPAK nisi pas një letër porosie nga autoritetet francaze, duke lëshuar më pas 17 urdhër-arreste. Sipas SPAK, nga hetimet ka rezultuar se grupet kriminale që kanë vepruar në kuadër të aktivitetit të paligjshëm kriminal, si në territorin francez, ashtu dhe atë shqiptar janë dy.

Në lidhje me grupin e parë, rezulton se personat nën hetim pas grumbullimit të sendeve të vjedhura në territorin francez dhe shumave monetare që rridhnin nga veprimtaria kriminale, pasi i depozitonin në një hotel, ua jepnin ato në dorëzim për t’i transportuar në mënyrë të paligjshme në Shqipëri.

Në lidhje me grupin e dytë, rezulton se, personat nën hetim, në bashkëpunim me anëtarët e grupit të parë, kanë ushtruar veprimtarinë e tyre kriminale duke transportuar shuma monetare në sasi të madhe, dhe të padeklaruara nga Shqipëria-Francë. Këto shuma të përdorura për blerjen e sendeve të luksit, kapin një shifër prej 724,386 euro, shifër kjo që i përket vetëm transaksioneve bankare, pa përfshirë këtu shumat në cash të cilat janë transportuar nëpërmjet kufirit shtetëror në mënyrë të paligjshme që kapin vlerën e 2.113.000 Euro dhe 35.000 Franga. Përveç këtyre shumave monetare personat nën hetim kanë transportuar në mënyrë të paligjshme edhe rreth 3.4 kg sende të çmuara (flori).

Aktualisht gjykata ka lënë në arrest me burg 5 persona, mes të cilëve dhe Sokol Idrizajn, shoferin e ish-Drejtorit të Përgjithshëm të Policisë, Ardi Veliut. Ndërsa të akuzuarit e tjerë në arrest shtëpie. Filimisht SPAK arrestoi dhe bashkëshorten e Sokol Idrizajt, Elda Idrizaj, si dhe vajzën e tyre Egi Idrizajn.


Shtuar 23.07.2023 17:11