Këtë të enjte, Bashkia e Shkodrës, ka vendosur në emër të kryebashkiakut Benet Beci, kurora me lule në Memorialin e 2 Prillit 1991 në nderim të katër dëshmorëve të rënë në masakrën e fundit të komunizmit në Shqipëri.
Por, demokrati Selami Hoxha, i mori kurorat dhe i hodhi disa metra më tutje me pretendimin se përfaqësues të PS nuk duhet të vendosin kurora, pasi PD i cilëson si pasardhës të komunizmit, regjim i cili vrau katër dëshmorët e demokracisë Arben Broci, Nazmi Kryeziu, Bujar Bishanaku dhe Besnik Ceka, të cilët po merrnin pjesë në protestën e 35 viteve më parë kundër Partisë Komuniste, e cila fitoi zgjedhjet e para pluraliste në 31 mars 1991.
Të lidhura
None found
Pas hedhjes së kurorave, punonjës të shërbimeve të bashkisë Shkodër u përkujdesën për t’i marrë duke i sistemuar në një tjetër vend. Kjo situatë është përsëritur edhe vitet e kaluara.
Kryebashkiaku Beci pasi bashkia vendosi kurorat tek memoriali i 2 prillit, shpërndau këtë mesazh: “Respekt i përjetshëm për dëshmorët e demokracisë: Arben Broci, Bujar Bishanaku, Nazmi Kryeziu dhe Besnik Ceka. Sakrifica e tyre mbetet një kujtesë e gjallë se liria nuk është dhuratë, por një e drejtë që fitohet dhe mbrohet çdo ditë”.

