Belinda Balluku nga Bukureshti zbulon planin për boshtin e ri energjetik Shqipëri–Rumani–Itali

Zëvendëskryeministrja dhe ministrja e Infrastrukturës dhe Energjisë, Belinda Balluku, mori pjesë në takimin e përvitshëm të Nivelit të Lartë të Ministrave të Energjisë së Europës Qendrore dhe Juglindore, që u zhvillua në Bukuresht, nën drejtimin e Komisionerit Europian për Energjinë, Dan Jorgensen.

Në këtë forum, ministrat e vendeve pjesëmarrëse raportuan mbi situatën energjetike në rajonet e tyre, përgatitjet për dimrin 2025–2026 dhe sfidat që lidhen me sigurinë energjetike në kushtet e kërcënimeve që vijnë nga përdorimi i gazit rus.

Gjithashtu, në fjalën e saj, Balluku theksoi një arritje të rëndësishme për Shqipërinë gjatë këtij viti.

“Bazuar në strategjinë kombëtare për diversifikimin, për herë të parë raporti 8-mujor për 2025 tregon se kemi arritur të krijojmë 10% të kapaciteteve gjeneruese nga burimet diellore, duke e çuar raportin total të prodhimit të brendshëm në 90% hidro dhe 10% energji diellore”, u shpreh Balluku.