Belinda Balluku e pandehur nga SPAK/ Jorida Tabaku: Skandali i tunelit të Llogarasë, fytyrë e qeverisjes së korruptuar

Në seancën plenare të sotme, deputetja e Partisë Demokratike, Jorida Tabaku, ngriti me tone të forta alarmin për keqpërdorimin e fondeve publike dhe mungesën e transparencës në qeverisje, gjatë diskutimit për raportin vjetor të Kontrollit të Lartë të Shtetit (KLSH).

Tabaku vlerësoi profesionalizmin e KLSH-së, duke e cilësuar si “një nga pak institucionet që ende ruan pavarësinë e tij”, por shtoi se gjetjet e raportit janë “një pasqyrë e qartë e degradimit të financave publike dhe kapjes së shtetit”.

“Ky është raporti i dymbëdhjetë që lexoj dhe çdo vit bindem më shumë se financat publike janë jashtë kontrollit, ndërsa burimet shtetërore abuzohen në mënyrë sistematike”, – deklaroi ajo, duke dënuar sulmet politike ndaj kreut të KLSH-së si “të papranueshme dhe të rrezikshme për demokracinë”.

Deputetja demokrate solli në vëmendje shifrat tronditëse të raportit, sipas të cilit nga viti 2017 deri në vitin 2024 qytetarët shqiptarë kanë paguar 820 milionë euro për kontrata PPP, nga të cilat gjashtë janë nën hetim, me një vlerë totale prej rreth 650 milionë eurosh.

Por Tabaku ndaloi veçanërisht te skandali i tunelit të Llogarasë, një nga projektet më të përfolura të viteve të fundit, të cilin e quajti “simbolin e abuzimit dhe arrogancës qeveritare ndaj qytetarëve”.

“Tuneli i Llogarasë është shembulli më tipik i një projekti që është shndërruar në sinonim të korrupsionit. Një tender i manipuluar, me kosto që rriten çdo vit, pa transparencë dhe jashtë çdo standardi të KLSH-së. Është fytyra e vërtetë e kësaj qeverisjeje – një han pa porta ku taksat e qytetarëve shpërdorohen për klientët e pushtetit”, – u shpreh Tabaku.

Sipas saj, qeveria ka vendosur “një normalitet të ri të abuzimit”, ku raportet e institucioneve të pavarura, hetimet e SPAK-ut dhe kritikat e BE-së “trajtohen sikur nuk ekzistojnë”.

“Nuk ka më kuptim as planifikimi buxhetor, as proceset fiskale, sepse çdo gjë ndryshohet me akte normative, sipas tekave të ministrave. Buxheti i shtetit është kthyer në një çek të hapur për aferat e radhës”, – theksoi ajo.

Në përfundim, Tabaku bëri thirrje që Parlamenti të mos jetë më një “vulë formale” e abuzimeve të qeverisë, por të marrë rolin e vet kushtetues në mbrojtjen e interesit publik:

“Për sa kohë ky sistem i korruptuar do të vazhdojë të mbështetet me ligje që miratohen këtu, shqiptarët do të vazhdojnë të paguajnë çmimin. Parlamenti duhet të ngrihet në lartësinë që i takon – për transparencë dhe drejtësi”.


Shtuar 6.11.2025 15:16