Ditën e sotme, vendimi i Apelit të GJKKO-së për dosjen “5D” që shpalli të fajshëm të akuzuarit e Bashkisë së Tiranës, por pezulloi ekzekutimin e dënimeve duke i kthyer në shërbim prove, ka nxjerrë në konferencë për mediat deputetin demokrat Belind Këlliçi, denoncuesin e kësaj afere.
Ligjvënësi demokrat deklaroi se drejtësia i vuri kapakun dosjes dhe jo krimit, duke nxjerrë të larë zyrtarët dhe të akuzuarit e çështjes, përveç njërit, teksa u zbut dënimi i shkallës së parë të GJKKO-së..
“Për 44 javë me radhë protestuam para bashkisë për vjedhjen e parave publike. Sot gjykata e Apelit vendosi kapakun, jo mbi krimin, por mbi drejtësinë. Drejtuesit e Bashkisë përveç njërit dolën nga salla të larë, një dosje e varrosur me një ceremoni që sot prodhoi një Alqi Bllako të dytë që i varën të gjithë peshën e një grabitjeje kolektive”, tha Këlliçi mes të tjerash.
Gjykata e Posaçme e Apelit për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar, shpalli sot vendimin për ish- drejtoreshën e Tirana Parking, Eglantina Zere dhe 4 zyrtarëve të tjerë, konkretisht Enkeljda Qyta, Bruno Koçi, Rivjola Baxha, si dhe Kristo Zhulati duke zbutur dënimet e tyre.
Sipas vendimit të Apelit, të pandehurit u shpallën fajtorë për kryerjen e veprës penale “Shkelja e barazisë së pjesëmarrësve në tendera apo ankande publike”, por ndaj tyre u pezulluan masat e dënimit, duke i vënë ata nën shërbim porove për një periudhë 12-mujore.
Deklarata e Belind Këlliçit:
“Më 26 prill 2023 bëra publike për herë të parë skemën 5D të Bashkisë së Tiranës. Ishte si të ngrije kapakun e një arkivoli institucional dhe të kuptoje jo vetëm korrupsionin, por edhe kalbëzimin shtetëror të organizuar.
Një linjë e padëgjuar vjedhjeje, ku drejtorët e Bashkisë funksiononin si elemente të një grupi të strukturuar kriminal, me detyra të ndara, me firma të sinkronizuara për një qëllim të vetëm: zhvatjen 100% të parave publike.
Para publike të marra me tendera, me leje ndërtimi dhe me vulë shteti. 29 tendera, 30 milionë euro, 3 leje ndërtimi, të gjitha të futura në një ‘gojë’ të vetme, të hapur nga firma personale e kryetarit të Bashkisë, Erion Veliaj.
Menjëherë pas publikimit, depozitova kallëzimin penal në SPAK. Hetimi i Prokurorisë, nën drejtimin e prokurorit Klodian Braho, faktoi plotësisht denoncimin dhe çoi për gjykim të gjithë zinxhirin drejtues të Bashkisë së Tiranës.
Për 44 javë me radhë protestuam përpara Bashkisë për një parim themelor e universal: vjedhja e parave publike nuk mund të amnistohet dhe dëmi duhet t’u kthehet qytetarëve.
Sot, Gjykata e Apelit për Krimin e Organizuar dhe Korrupsionin vendosi kapakun. Jo mbi krimin, jo! Por mbi drejtësinë. Mbi shpinën e dërrmuar të qytetarëve.
Drejtuesit e Bashkisë, përveç njërit, dolën nga salla jo si të penduar, por të larë, posi u rrëzuan edhe dënimet simbolike të shkallës së parë. As burg. As kthim parash. As përgjegjësi.
Një dosje e varrosur me ceremoni nga një Drejtësi që sot prodhoi një kukull fajësie, një Alqi Bllako të dytë, që i varën të gjithë peshën e një grabitjeje kolektive.
Të gjithë drejtorët e Bashkisë Tiranë, me përjashtim të Mariglen Qatos, u shpëtuan nga përgjegjësia penale.
Si tek inceneratorët, ku janë zhvatur 200 milionë euro dhe fajin e mban një emër i vetëm, ndërsa sistemi u shpall i pafajshëm.
Ky vendim nuk mbylli vetëm një çështje, por zyrtarizoi një doktrinë ku krimi firmoset në qetësi me një stilolaps dhe firma për shefin është jelek antiplumb penal.
Nga sot, çdo nëpunës e di se mund të vjedhë, mund të firmosë, mund të zhvasë, sepse mbi të ka një çati të sigurt pandëshkueshmërie. Bindja shpërblehet.
Edhe për më naivin, vendimi i sotëm gjyqësor i dha dërrmën drejtësisë së re. Sot u dërgua mesazhi më i rrezikshëm që mund të prodhojë një shtet, kapitullimi karshi krimit të veshur me kostum institucional.
Gjyqtarët hoqën mantelin, morën çelësat e kasafortës, i dorëzuan tek dera e pushtetit, dhe sapo u thanë shqiptarëve:
‘Mos kërkoni më mbrojtje tek ne. Këtu ruhet vetëm krimi.’ Në mënyrë të veçantë krimi i organizuar dhe grupet e strukturuara kriminale”.
