Belind Këlliçi bën deklaratën e fortë nga selia blu: Sot, do të shpërndahen para përmes ambulancave! SPAK të vihet në lëvizje

Belind Këllliçi ka dalë me një deklaratë zyrtare ku dhe u ka bërë thirrje Prokurorisë së Posaçme, Policisë dhe Task-Forcës së ngritur për mbarëvajtjen e zgjedhjeve që të jenë vigjilent pasi një skenar i dyshimtë është përgatitur për këtë mbrëmje.

Sipas Këlliçit, informacione të sigurta pranë Partisë Demokratike konfirmojnë se rrjeti i ambulancave publike do të përdoren si mjet për shpërndarjen e parave me qëllim blerjen e votave.

Demokrati u bën apel SPAK që të vendosë në lëvizje Task-Forcën e zgjedhjeve, ndërkohë që një thirrje e ka dhe për drejtorët e spitaleve të cilëve u kërkon që të mos bëhen palë në këtë shkelje flagrante të ligjit.

“U bëjmë thirrje drejtorëve të spitaleve, përgjegjësve të rrjetit të ambulancave, që të mos përfshihen në këtë shkelje të hapur të ligjit, sepse do të listohen si terroristë elektoralë dhe do të përgjigjen një më një”, tha Këlliçi.

Deklarata e plotë:

Informacione të sigurta të mbërritura në adresë të Partisë Demokratike, konfirmojnë se rrjeti i ambulancave të spitaleve publike të Tiranës do të kthehet sonte në karvan elektoral, duke shpërndarë para për blerjen e votave.

Patronazhistët e Edi Ramës do të lëshohen sonte rrugëve duke përdorur mjetet e transportit të pacientëve dhe të sëmurëve si bankomate për blerjen e vullnetit të zgjedhësve.

I bëjmë thirrje SPAK që të vërë në lëvizje Task Forcën e zgjedhjeve. Toma në Shkodër është vetëm nxënësi i Edit në Tiranë.

U bëjmë thirrje drejtorëve të spitaleve, përgjegjësve të rrjetit të ambulancave, që të mos përfshihen në këtë shkelje të hapur të ligjit, sepse do të listohen si terroristë elektoralë dhe do të përgjigjen një më një.

Ne përsërisim edhe njëherë mesazhin e qartë të Rezolutës së Partisë Popullore Europiane se, nëse makineria shtetërore ndërhyn në zgjedhje, rruga e integrimit të Shqipërisë ndalet.

Kush vjedh zgjedhjet e ka të shkruar qartë fatin në Uashington, Bruksel dhe Berlin! Ju faleminderit.


Shtuar 9.05.2025 19:05