Belgjika i është bashkuar një numri vendesh të tjera në Nju Jork, duke njoftuar njohjen e shtetit palestinez.
“Përmes kësaj iniciative, ne vazhdojmë të mbështesim të drejtën ndërkombëtare, veçanërisht të drejtën e vetëvendosjes së popujve”, tha kryeministri belg Bart De Wever dje, në Nju Jork në një konferencë mbi konfliktin në Lindjen e Mesme të thirrur nga Franca dhe Arabia Saudite.
Takimi, i zhvilluar një ditë para fillimit të javës së debatit të nivelit të lartë në Asamblenë e Përgjithshme të OKB-së, synonte t’i jepte një vrull të ri zgjidhjes me dy shtete – e cila parashikon që Izraeli dhe një shtet palestinez i pavarur dhe demokratik të jetojnë në paqe krah për krah.
Konferenca synon të rrisë presionin mbi Izraelin për t’u angazhuar në negociata.
“Zgjidhja me dy shtete nuk ka “vdekur”, është e dëmtuar, por mund të ringjallet dhe duhet të jetë për hir të të dy popujve”, tha De Wever.
Disa vende të mëdha perëndimore, kanë njoftuar kohët e fundit qëllimin e tyre për të njohur shtetësinë palestineze. Rreth 150 vende në mbarë botën e kanë marrë këtë vendim.