Presidenti i Shqipërisë, Bajram Begaj, u bëri thirrje autoriteteve në Kosovë që të tregojnë maturi dhe të koordinohen me partnerët ndërkombëtarë për t’i dhënë zgjidhje krizës në veri të shtetit.
Në konferencën e përbashkët për mediat me homologun e tij nga Estonia, Alar Karis, kreu i shtetit shqiptar tha se është në komunikim të vazhdueshëm me autoritetet kosovare.
Të lidhura
None found
“Jam në komunikim të vazhdueshëm me autoritetet më të larta të Kosovës, po ashtu me komandantin e KFOR-it [gjeneralmajor Angelo Michele Ristuccia]dhe me disa presidentë të rajonit. Unë kam bërë një thirrje vëllazërore për autoritetet e Kosovës që në këtë situatë duhet të kenë durim, maturi dhe duhet të dëgjojnë dhe të koordinohen me partnerët tanë strategjikë. Dhuna nuk është zgjidhja, konflikti i dhunshëm nuk duhet të jetë asnjëherë opsion, i vetmi opsion për zgjidhje është dialogu”, tha Begaj.
Presidenti shqiptar tha se çdo qasje, që nuk përputhet me normat dhe me ligjet ndërkombëtare, sjellë pasoja që prekin jo vetëm palët e përfshira, por edhe rajonin si dhe për komunitetin ndërkombëtar.
Në Leposaviq, Zveçan dhe Zubin Potok – komuna në veri të Kosovës, të banuara me shumicë serbe – situata e sigurisë është përkeqësuar qysh më 26 maj, kur kryetarët shqiptarë të komunave kanë marrë zyrtarisht detyrën, përkundër rezistencës së banorëve lokalë.
Zgjedhjet e 23 prillit, prej të cilave kanë dalë këta kryetarë, janë bojkotuar nga komuniteti serb.
Shtetet e Bashkuara dhe Bashkimi Evropian kanë kërkuar që Kosova të shtensionojë menjëherë situatën në veri, duke ia paraqitur kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti, tri kërkesa: qetësimi i situatës në veri, mbajtja e zgjedhjeve të reja në këtë zonë si dhe kthimi në dialogun për normalizimin e raporteve Kosovë-Serbi.
Ndërkaq, pyetjes së gazetarëve, nëse situata e krijuar në Kosovë e zhvlerëson nismën rajonale, Ballkani i Hapur, presidenti Begaj u përgjigj:
“I qëndroj mendimit tim, që në qoftë se një iniciativë e tillë është gjithëpërfshirëse dhe mbetet vetëm në kuadrin ekonomik dhe sjellë përfitime ekonomike për njerëzit e rajonit, në rastin konkret për popullatat tona të Kosovës dhe të Shqipërisë, për mua është e mirë se ardhur”.
Në nismën rajonale, Ballkani i Hapur, marrin pjesë Shqipëria, Serbia dhe Maqedonia e Veriut. /REL
