Ditën e sotme, Presidenti i Republikës, Bajram Begaj, priti në një takim Zëvendëskryeministrin dhe Ministrin e Mbrojtjes së Kroacisë, Ivan Anušić.
Në fokus të këtij takimi, ishin marrëdhëniet Shqipëri-Kroaci, si dhe bashkëpunimi në fushën e mbrojtjes, ekonomisë dhe situata në Ballkanin Perëndimor.
Presidenti Begaj, vlerësoi partneritetin strategjik midis dy vendeve aleate në NATO dhe marrëdhëniet e shkëlqyera të cilat, sipas tij, janë në këtë nivel për shkak të prioriteteve tëpërbashkëta të politikës së jashtme dhe vizionit të njëjtë për të ardhmen e Ballkanit Perëndimor.
Shqipëria dhe Kroacia, ndajnë një partneritet afatgjatë dhe strategjik brenda NATO-s.
Kreu i Shtetit, përshëndeti nënshkrimin e deklaratës sëpërbashkët midis Shqipërisë, Kroacisë dhe Kosovës, e cila, në gjykimin e tij, është materializimi i një bashkëpunimi të dëshmuar ndër vite.
Përballë zhvillimeve gjeopolitike, dinamike dhe komplekse, me ndikim jo vetëm në zonën Euroatlantike, por edhe në rajonin e Ballkanit Perëndimor, Presidenti Begaj, theksoi se çështja e stabilitetit është një angazhim që duhet të zbatohet përmes besimit, dialogut dhe bashkëpunimit.
Gjithashtu, presidenti Begaj, vlerësoi se me gjithëpërfshirjen e Ballkanit Perëndimor në organizatat Euroatlantike garantohet stabilitet i qëndrueshëm, si edhe politika zhvillimore për vendet e rajonit dhe qytetarët.
Kroacia ka qenë gjithmonë në mbështetje të shqiptarëve nëprocesin e integrimit evropian të Shqipërisë, si dhe për garantimin e paqes dhe sigurisë në Kosovë përmes trupave tëshumtë në KFOR, dhe për këtë Presidenti Begaj i përcolli mirënjohjen numrit dy të qeverisë kroate, z. Ivan Anušić.
U vlerësua gjithashtu, se lidhjet e forta midis Shqipërisë dhe Kroacisë, mbeten thelbësore jo vetëm në adresimin e sfidave të përbashkëta të sigurisë, por dhe në avancimin e objektivave të përbashkëta në një sërë sektorësh, duke përfshirë energjinë, infrastrukturën, mbrojtjen, ekonominë, bujqësinë, shkencën, turizmin dhe mbrojtjen e mjedisit.