Presidenti Bajram Begaj priti sot në një takim Komandantin e misionit të NATO-s në Kosovë, KFOR, Gjeneralmajor Özkan Ulutaş.
Kreu i Shtetit i përcolli Komandantit të KFOR-it, Gjeneral Ulutaş vlerësimin për marrjen e drejtimit të këtij misioni nga ana e Turqisë për herë të dytë, si dhe shprehu mirënjohjen për kontributin dhe angazhimin e Turqisë me trupa në misionin KFOR Kosovë.
Gjatë bisedës, Presidenti i Republikës theksoi se KFOR-i është shumë i rëndësishëm për paqen dhe stabilitetin jo vetëm në Kosovë, por edhe në rajon.
Në këtë aspekt, Kreu i Shtetit rikonfirmoi qëndrimin e tij për thellimin e bashkëpunimit mes vendeve të rajonit, duke e cilësuar si faktor thelbësor për paqen, sigurinë dhe stabilitetin.
Gjithashtu, Presidenti Begaj inkurajoi bashkëpunimin ndërmjet KFOR-it dhe institucioneve të Kosovës, veçanërisht me Forcën e Sigurisë së Kosovës për zhvillimin, modernizimin dhe transformimin e saj në përputhje me standardet e NATO-s
Gjatë takimit u vlerësua angazhimi i KFOR-it për garantimin e një situate të qetë sigurie dhe lirinë e lëvizjes, sidomos në veri të Kosovës.
Presidenti Begaj rikonfirmoi angazhimin dhe mbështetjen e Shqipërisë ndaj misionit të KFOR.