Këngëtarja me famë botërore, Bebe Rexha, ka zgjedhur një mënyrë jo të zakonshme për të folur për jetën e saj sentimentale. Përmes një postimi në rrjetin social X (ish-Twitter), ajo u është drejtuar drejtpërdrejt ndjekësve të saj, të njohur si “Rexhars”, duke kërkuar ndihmë për të gjetur partnerin ideal.
Në një listë të detajuar, artistja ka zbuluar hapur kriteret që, sipas saj, duhet të plotësojë mashkulli që do të ketë pranë.
Ndryshe nga pritshmëritë që shpesh lidhen me figurat publike, Bebe thekson se pamja perfekte nuk është vendimtare për të. Ajo shprehet se një partner që vlerësohet si 6 apo 7 nga 10 në dukje është më se i mjaftueshëm, për aq kohë sa ka personalitet të fortë dhe autenticitet. Sa i përket gjatësisë, këngëtarja ka një kërkesë të thjeshtë: partneri të jetë mbi 173 cm, kryesisht që të jetë më i gjatë se ajo.
Një nga pikat që ka ngjallur më shumë reagime në rrjet ka qenë qëndrimi i saj ndaj financave. Bebe thekson se kërkon një partner të suksesshëm dhe të pavarur ekonomikisht, duke nënvizuar se nuk pranon marrëdhënie ku ajo mban barrën financiare.
Përtej aspektit fizik dhe atij financiar, artistja thekson se karakteri dhe vlerat njerëzore janë thelbësore. Ajo kërkon një person të zgjuar, me moral të mirë, ambicioz dhe të motivuar për jetën, që di çfarë dëshiron dhe punon për të.
