BE: Qeveria e Kosovës ta respektojë ligjin për shpronësim në veri

Zyra e Bashkimit Evropian në Kosovë u bëri thirrje autoriteteve të Kosovës që “të respektojnë me përpikëri procedurat ligjore në lidhje me shpronësimin e pronës së paluajtshme”, dhe të bëjnë gjithçka që kanë në dorë për të garantuar respektimin e të drejtave pronësore të pronarëve të tokave.

Sipas BE-së, Qeveria e Kosovës duhet të ndjekë një sërë procedurash përpara përfundimit të procesit, sepse shpronësimi është një proces i ndjeshëm nga natyra.

“Procedurat ligjore parashikojnë hapa të tillë si njoftimi i avancuar dhe informacioni gjithëpërfshirës i pronarëve të pronave, e drejta e tyre për të paraqitur komente mbi shpronësimin e kërkuar, mundësia e një mjeti të përshtatshëm juridik dhe kompensimi adekuat i tyre përpara se procesi të përfundojë”, nënvizon deklarata e BE-së.

Më 10 maj, Qeveria e Kosovës ka miratuar vendimin për shpronësimin e tokave në komunat me shumicë serbe në veri të Kosovës, Leposaviq dhe Zubin Potok.

Siç është paralajmëruar nga autoritetet kosovare, shpronësimi kryhet me qëllim të “realizimit të projekteve infrastrukturore me interes publik”.

Aksionet përgatitore për shpronësimin e tokës në Leposaviq kanë filluar në fillim të vitit, por popullata vendase serbe e kundërshton ashpër atë, duke pretenduar se është një “proces i paligjshëm”.

Ata po ashtu theksojnë se problemi më i madh për serbët në veri është se qëllimi i shpronësimit është ndërtimi i një baze për policinë kufitare të Kosovës.

Policia e Kosovës më herët ka konfirmuar për Radion Evropa e Lirë se në fshatin Dren, në Komunën e Leposaviqit, ka filluar puna për ndërtimin e stacionit policor kufitar, “me qëllim të sigurimit të qytetarëve, menaxhimit të kufirit dhe parandalimit të kontrabandës në atë rajon”.

BE-ja thotë se e sheh me shqetësim ndërtimin e bazave, dhe bëri u thirrje autoriteteve për adresim adekuat të procesit.

Sipas BE-së “themelimi i katër bazave të Policisë së Kosovës në tokë private dhe shoqërore – në disa raste para fillimit të procedurave të shpronësimit – ngre shqetësime për të drejtat pronësore në veri të Kosovës dhe duhet të adresohet në mënyrë adekuate nga autoritetet”.

Në mes të shkurtit, përfaqësuesit e Qeverisë së Kosovës mbajtën një seancë të hapur dëgjimore në Leposaviq dhe Zubin Potok pasi serbët vendas kundërshtuan shpronësimit.

Po ashtu, pronarët e parcelave që janë objekt i shpronësimit kanë paraqitur padi në gjykatat kompetente në Prishtinë për të parandaluar atë që ata e konsiderojnë si proces të kundërligjshëm./rel


Shtuar 12.05.2023 12:24