Teksa lufta në Ukrainë po vijon që prej 24 shkurtit të këtij viti, duket se Bashkimi Europian do të ndërmarrë hapa të reja për të “goditur” Rusinë.
Ministrat e Jashtëm të Bashkimit Evropian synojnë të mbështesin pezullimin e Marrëveshjes së Lehtësimit të Vizave të BE-së me Rusinë për të kufizuar numrin e vizave të lëshuara për rusët.
Ministrat e jashtëm të BE-së planifikojnë ta marrin këtë vendim në një takim dy-ditor në Pragë që fillon të martën, raporton Financial Times.
“Është e papërshtatshme që turistët rusë të ecin në qytetet tona. Ne duhet t’i dërgojmë një sinjal popullatës ruse se kjo luftë është e papranueshme, është e papranueshme”, tha një zyrtar i lartë i BE-s.
Plani për të pezulluar marrëveshjen e 2007-së kërkon fundin e trajtimit preferencial për rusët kur aplikojnë për të gjitha vizat e BE-së.
“Jemi në një situatë të jashtëzakonshme dhe kjo kërkon hapa të jashtëzakonshëm. Ne duam të shkojmë më tej se pezullimi i lehtësirave të vizave”, tha një zyrtar i lartë evropian.
Finlanda, Polonia dhe shtetet baltike në kufi me Rusinë kanë thënë se janë të përgatitur të ndalojnë rusët të hyjnë në territorin e tyre me viza turistike, duke përmendur përjashtimet e sigurisë kombëtare nga marrëveshja e Shengenit.
“Shpresoj se do të gjendet një zgjidhje e përbashkët evropiane se si të kufizohet ndjeshëm fluksi i turistëve rusë në Evropë”, tha ministri i Jashtëm lituanez Gabrielius Landsbergis.