Viti 2022 ka qenë viti më alarmant përsa i përket zjarreve të përhapur në Evropë, që kanë ardhur si pasojë e ndryshimeve klimatike dhe ngrohjes globale.
Sipas raportimit të Komisionit Europian, gjatë këtij viti, zjarret kanë përfshirë afërsisht 900 mijë hektarë tokë.
Ky vit është viti i dytë që ka patur përmasa kaq të mëdha zjarresh, që prej vitit 2017 gjatë të cilit janë djegur 1.3 milionë hektarë.
Zjarret prekën zonat e “Natura 2000”, rezervuarin e biodiversitetit të BE-së, që përbën rreth 43% të sipërfaqes totale të djegur. Sipas raportit, zona totale e djegur në zonat e mbrojtura të Natura 2000 në vitin 2022 është më e larta në dekadën e fundit.
Për të tretin vit radhazi, ngjarjet e paprecedente të zjarreve shkaktojnë dëme të mëdha mjedisore dhe ekonomike në BE dhe humbje tragjike të jetëve. Ndërsa 96% e zjarreve shkaktohen nga veprimtaria njerëzore, ato përkeqësohen nga kushtet e nxitura nga ndryshimet klimatike.
Kjo dukuri është një sinjal paralajmërues se çfarë mund të sjellë ngrohja globale në vitet e ardhshme, pasi temperaturat rriten dhe thatësirat bëhen më të theksuara në shumë vende evropiane.
Të dhënat për vitin 2023 tregojnë se deri më tani, zjarret kanë djegur rreth 500 000 hektarë tokë në vendet e BE-së. Këtu përfshihet zjarri më i madh i regjistruar në BE, në Aleksandropolis të Greqisë, me mbi 96 000 hektarë të djegur. Ky vit hasi përsëri zjarre të vështira për t’u frenuar për shkak të temperaturave, intensitetit dhe shpejtësisë së tyre të lartë. Ato u vunë nën kontroll vetëm kur kushtet meteorologjike u përmirësuan. Zjarret e tjera kritike në BE ndodhën në Portugali, Spanjë, Itali dhe Greqi.
Në tre vitet e fundit, zjarret shpërthyen nga perëndimi në lindje dhe në vendet e Evropës veriore, qendrore dhe jugore. Frekuenca dhe intensiteti i lartë i zjarreve në verë i vendos shërbimet luftarake të BE-së në kushte të paprecedentë të rrezikut nga zjarri. Tendenca e këtyre zjarreve ndodh jo vetëm në Evropë, por edhe në mbarë globin.
Publikimi i raportit bëhet në kuadër të prezantimit, nga Komisioni, të Ligjit për Monitorimin e Pyjeve, i cili do të mbyllë boshllëqet ekzistuese në informacionin mbi pyjet evropiane dhe do të krijojë një bazë të plotë njohurish për pyjet. /albeu.com