BE gati të rrisë prodhimin e municioneve dhe raketave: Ndihmojmë Ukrainën dhe mbrojmë qytetarët tanë

Këshilli i Bashkimit Evropian (BE) dhe Parlamenti Evropian kanë arritur një marrëveshje paraprake për një ligj që duhet të përshpejtojë prodhimin e municioneve në BE dhe që parashikon ndarjen e 500 milionë eurove nga buxheti i BE-së për përmirësimin e prodhimit e kapaciteteve.

Sipas rregullores së rënë dakord, bëhet fjalë për municion artilerie tokësore dhe raketa dhe synohet përmirësimi i prodhimit evropian të municioneve në përputhje me vendimin e Këshillit nga marsi i këtij viti në dobi të Ukrainës dhe vendeve evropiane.

“Falë marrëveshjes së sotme rekorde mbi Aktin e Promovimit të Municioneve (ASAP), Evropa do të forcojë dhe përshpejtojë prodhimin e saj të municioneve dhe raketave. Kjo është dëshmi e mëtejshme e angazhimit të palëkundur të BE-së për të ndihmuar Ukrainën, për të forcuar themelet teknologjike dhe industriale të mbrojtjes së BE-së, dhe kështu mundëson sigurinë dhe mbrojtjen afatgjatë të qytetarëve të BE-së”, tha Margarita Robles, ministrja e mbrojtjes e Spanjës, e cila mori presidencën e BE-së nga Suedia më 1 korrik.

Rregullorja e rënë dakord do t’i mundësojë BE-së të mbështesë financiarisht forcimin e kapaciteteve prodhuese, nëpërmjet kredive të pakthyeshme ose masave të tjera që ndihmojnë industrinë evropiane të mbrojtjes dhe që heqin pengesat në prodhim.

Në të njëjtën kohë, masat do të lehtësojnë aksesin e kompanive nga sektori i mbrojtjes si në fondet e BE-së ashtu edhe në kapitalin privat, duke përshpejtuar kështu investimet e nevojshme dhe rritjen e kapaciteteve.

Pavarësisht marrëveshjes paraprake, pas rishikimit dhe redaktimit ligjor, marrëveshja duhet të miratohet zyrtarisht nga Këshilli dhe Parlamenti dhe pritet të nënshkruhet dhe të hyjë në fuqi në fund të korrikut.

Në vitin 2022, pas analizimit të situatës së mbrojtjes, BE-ja njoftoi se nën-investimi afatgjatë në mbrojtje rezultoi në mangësi serioze si në kapacitete ashtu edhe në prodhimin industrial.

Pas sulmit rus ndaj Ukrainës, strukturat evropiane të mbrojtjes u përballën me sfida edhe më të mëdha, pasi BE dhe shtetet e tij anëtare filluan të ndihmojnë gjithnjë e më intensivisht Ukrainën me pajisje ushtarake.

Për momentin, donatori i dytë më i madh i ndihmës ushtarake për Ukrainën është Gjermania, e cila e rriti ndihmën e premtuar ushtarake në 7.5 miliardë euro. Në vend të parë, të padiskutueshëm janë SHBA-të me ndihmën e premtuar në vlerë prej më shumë se 42 miliardë euro.


Shtuar 7.07.2023 16:35