Kur rusët u tërhoqën nga Bucha, filloi një operacion masiv për gjetjen dhe dokumentimin e të vdekurve. BBC Neës iu bashkua oficerëve të policisë lokale dhe familjeve të të ndjerëve ndërsa ata kryenin detyrën e tyre me zemrën thyer.
Shefi i policisë Vitaliy Lobas ishte ulur në tavolinën e një shkollë të braktisur në Bucha, duke mbledhur të dhënat e viktimave.
Çdo disa minuta, shefi Lobas, me shpatulla të gjera dhe flokë të errët të shkurtër, dhe rrallë përdor një fjalë të panevojshme, kryente disa telefonata të shkurtra, të cilat të gjitha kishin thuajse një përmbajtje: Një vendndodhje, disa detaje, një numër telefoni, një i afërm apo mik?!
Para se të vinin rusët, Lobas ishte një shef i zakonshëm i policisë lokale, kreu i Distriktit 1 të Buchanksy, i cili i kaloi ditët e tij duke u marrë me krimin e zakonshëm vendas dhe vrasjet e herëpashershme. Që nga çlirimi i Buchas, ai i ka kaluar ditët në këtë shkollë të braktisur, ku ende varen në mure postera të nxënësve, duke koordinuar operacionin masiv për gjetjen e të vdekurve. Përpara Lobas në tavolinën e shkollës ishte një hartë e Buchas. Një periferi, dikur paqësore dhe pak e njohur e Kievit, që tani është një skenë e tmerrshme krimi. Zona u pushtua nga forcat ruse për një muaj teksa ata tentuan të sulmonin Kievin dhe çlirimi i saj pak më shumë, nxori në dritë një proces të ngadaltë dhe të dhimbshëm të zbulimit të tmerreve dhe trupave të pajetë të varrosur në varre masive nëpër pyje.
Sa herë që binte telefoni, Lobas konsultonte hartën përpara tij dhe në një copë letër të thjeshtë shkruante informacionin e nevojshëm me një shkrim të pastër dore, një rresht për çdo viktimë. Nga mesi i mëngjesit, ai kishte mbushur njërën faqe të letrës A4 dhe kishte kaluar në anën e tjetër. Një ditë më parë kishte 64 trupa, tha ai. Një ditë më parë, 37. Ai nuk e dinte se sa do të ishin atë ditë, por priste që numri të rritej me rreth 40, sepse aty afër po gërmohej një varr masiv. Lobas është përgjegjës vetëm për një pjesë të këtij rajoni dhe shumë trupa të tjerë po gjenden jashtë juridiksionit të tij.
Lobas ndalonte herë pas here për të shkuar në këndin e lojërave të shkollës për të pirë një cigare, por edhe këto momente ndërpriteshin nga thirrjet e trupave apo probleme që kishin të bënin me mbledhjen e kufomave. Binte shi në Bucha dhe një nga furgonë që transportonte kufomat në morg kishte ngecur në baltë. Një traktor duhej gjetur shpejt, sepse kishte një numër të kufizuar furgonash dhe një numër të madh trupash. Lobas përgjithësisht ua delegon punën në terren zëvendësve të tij, por në rastet e krimeve veçanërisht të rënda, shkon vetë.
“Kur njerëzit janë qëlluar në kokë me duart e lidhura pas shpine, për shembull, unë do të shkoj vetë në vendngjarje… Kur janë djegur trupa, shkoj sërish unë”, tha ai.
Rreth mesditës, erdhi një telefonatë nga Dmytro Kushnir, një zëvendës policie 24-vjeçar në një nga njësitë e Lobas, për të regjistruar një trup që ishte raportuar pas një pallati në periferi të Bucha.
Kur Kushnir mbërriti në ndërtesë, e cila qëndronte vetëm në një zonë të gjelbër të pazhvilluar në buzë të pyllit, ai gjeti dy burra pas ndërtesës në vendin ku muri rrethues i pronës ndahej me pyllin. Ata mbanin veshur doreza kirurgjikale blu dhe qëndronin mbi trupin pjesërisht të dekompozuar të një burri që dukej se ishte qëlluar në pjesën e pasme të kokës. Trupi shtrihej mbi një jorgan të bardhë, me lule të kuqe dhe ishte i rrethuar nga shishe bosh birre dhe pije alkoolike. Dorezat blu kirurgjikale fillimisht u jepnin burrave pamjen e zyrtarëve mjekësorë, por ata u prezantuan si Volodymyr dhe Serhiy Brezhnev, babai dhe vëllai i të vdekurit. I shtrirë në batanije ishte Vitaliy Brezhnev, një ish-kuzhinier 30-vjeçar, i cili, derisa erdhën rusët, jetoi një jetë paqësore me të dashurën e tij në katin e gjashtë të pallatit që tani ngrihej mbi kufomën e tij.
Volodymyr dhe Serhiy kishin humbur kontaktet me Vitaliy një muaj më parë, kur rusët morën kontrollin e Bucha dhe komunikimet u ndërprenë. Ishte e pamundur të hyje në periferi për të kontrolluar ndërtesën e tij, kështu që ata e kërkuan për një muaj në internet, më kot tentuan në rrjetet sociale për të gjetur prova se ai ishte gjallë.
Kur rusët më në fund u tërhoqën, pak më shumë se një javë më parë, Serhiy mori një telefonatë nga e dashura e Vitalit dhe ajo u tregoi historinë. Rusët kishin sulmuar ndërtesën e apartamenteve dhe kishin mësyrë në çdo apartament me një armë gjahu, tha ajo, duke kërkuar që njerëzit të dorëzonin kartat e tyre SIM dhe çelësat. Ata e morën dhe Vitaliy në dhoma të veçanta, e rrahën dhe qëlluan qenin e tij, tha ajo. Pastaj e zbritën në bodrum me një grup banorësh të tjerë dhe mbyllën derën, por Vitaliy-n e morën veçmas dhe i thanë se nuk do ta shihte më, dhe ajo nuk e pa…
Kur ushtria ukrainase e shpalli Buchan të sigurt për të rihyrë, Volodymyr dhe Serhiy u nisën për në banesën e njeriut të tyre të zemrës. Brenda, ata gjetën gjak në dysheme, në shkallët dhe fotografi personale nga banesat e njerëzve të shpërndara përreth.
Në çdo derë mund të shihje vrimat nga shpërthimet e armëve, ndonjëherë një, ndonjëherë katër ose pesë. Në një derë druri, ku brava ia kishte lënë vendin të shtënave të përsëritura, ushtarët rusë dukej se ishin të frustruar dhe kishin hapur një vrimë në mes të derës në apartament. Pas një dere tjetër, ishte e qartë se pronarët e shtëpisë kishin shtyrë një tavolinë të rëndë pas dere, në një përpjekje të dështuar për të mbajtur pushtuesit jashtë. Kur Volodymyr dhe Serhiy arritën në katin e gjashtë, panë se ishte përdorur armë edhe në derën e apartamentit 83. Nga brenda vinte një erë e rëndë. Rusët e kishin shkatërruar apartamentin dhe kishin hapur kanalet e aspirimit dhe madje edhe tubacionet e tualetit duke kërkuar para. Kur hyri në dhomën e gjumit të Vitali-t, ai pësoi goditjen, sepse shpresonte ta gjente të vëllanë gjallë. Mbi jastëk kishte një njollë të thellë gjaku, madje kishte edhe gjak të spërkatur në muret pas shtratit. Mes rrëmujës në dysheme kishte dy gëzhoja plumbash, 7.62 mm, kalibri i përdorur nga ushtria ruse në armët e tyre. Ata e kuptuan se kishte pasur një viktimë, por nuk po gjenin trupin.
Kështu Volodymyr dhe Serhiy filluan të kërkonin për Vitaliy, duke e ditur se kërkimi i tyre tani ishte ndoshta për një trup dhe jo për një djalë e vëlla që mund të përqafoheshin sërish të tre bashkë. Serhiy mbante një fotografi pasaporte të Vitaliy në dorë.
“Ne kërkuam, e kërkuam… në fillim po kërkonim fytyrën e tij…”, rrëfen i vëllai.
Pas ndërtesës, pranë pyllit, gjetën atë që dukej si varr i cekët dhe filluan të gërmojnë. U desh kohë për të zhvarrosur mbetjet atje. Së pari ata panë jorganin e bardhë me lule të kuqe, që nuk e njihnin se i kujt ishte, dhe kjo u dha pak shpresë se aty mund të ishte një trup tjetër… Por kur e nxorën trupin, panë se brenda jorganit, ishte një perde nga banesa e Vitalit. Pastaj panë këpucët, dhe ato këpucë i njihnin. Por errësira po binte dhe ata duhej të ishin në shtëpi para orës policore, kështu që e mbuluan trupin me çarçaf, ndërsa aty pranë tij lanë ndezur shpresën.
“Sot ishte prekja e fundit. Sot ia hoqëm këpucët dhe i pamë këmbët”, tha Serhiy të nesërmen, teksa i zbuluan plotësisht trupin.
Për shkak se këmbët e Vitaliy-t ishin të veshura me çorapeve dhe këpucë, ato u ruajtën më mirë se pjesa tjetër e trupit të tij që pas një muaji në tokë kishte nisur të dekompozohej.
“Ne pamë formën e këmbëve të tij. Pastaj pamë formën e hundës dhe të duarve dhe ne e dinim se ishte gjaku jonë”, tha Serhiy.
Volodymyr kishte blerë apartamentin e vogël në Bucha dy vite më parë, një investim për të ardhmen e djalit të tij. Vitaliy kishte qenë kuzhinier në një restorant në Kiev, derisa nisi pandemia. Ai bënte disa punë dhe ishte në kërkim të diçkaje më të qëndrueshme. Kishte një të dashur që e donte dhe një qen, dhe tani një apartament në një lagje të bukur. Atij i pëlqente të peshkonte dhe të gjuante, të merrte foragjere dhe kërpudha në kohën e lirë dhe t’i gatuante.
Në pjesën e përparme të ndërtesës, oficeri Kushnir po plotësonte raportin e tij të policisë. Volodymyr shkoi në makinën e tij dhe mori dy copa të vogla kartoni dhe shkroi emrin e tij dhe numrin e telefonit dhe emrin dhe adresën e Vitaliy në secilën prej tyre. Pastaj ai u kërkoi disa fqinjëve shirit të pastër, këtë herë pa doreza kirurgjikale, për të lidhur një copë kartoni në kyçin e këmbës së Vitaliy-t dhe një për kyçin e dorës së tij… /BW/