Bashkitë pranojnë menaxhimin skandaloz: Dhjetëra mijëra tonë mbetjesh shpërndahen në mjedis

Një raport i Anketës Botërore të Riskut nga Lloyd’s Register Foundation e rendit Shqipërinë në listën e 10 vendeve më të këqija në botë për ndarjen e mbeturinave shtëpiake. Sipas raportit, në Shqipëri ka pak struktura për të zbatuar ose stimuluar ndarjen dhe riciklimin. Çdo ndarje që bëhet është kryesisht informale.

Kosova renditet e treta në listën e vendeve ku njerëzit nuk i ndajnë mbeturinat shtëpiake para se t’i hedhin në koshat e mbeturinave, pas Bregut të Fildishtë dhe Gabonit. Mali i Zi dhe Shqipëria ndajnë vendin e nëntë në renditje, me rezultate pak më të mira se Togo, Kameruni, Benini, Liberia dhe Republika e Kongos.

Referuar të dhënave nga Agjencia Kombëtare e Ekonomisë së Mbetjeve (AKEM), një agjenci e krijuar në vitin 2024, e cila ka për detyrë edhe të mbledhë nga pushteti lokal dhe të publikojë statistikat e mbetjeve, gjatë vitit të kaluar u gjeneruan 870 mijë tonë mbetje.

Megjithatë, jo e gjithë kjo sasi shkon në landfille. Vetë bashkitë pranojnë se një pjesë e tyre përfundon në natyrë. Sipas vjetarit statistikor të vitit 2023, në total 8% e mbetjeve nuk u menaxhuan. Kjo do të thotë se çdo vit, një sasi alarmante prej mbi 70 mijë tonë mbetje përhapen të lira në mjedis…

Referuar të dhënave nga vetë bashkitë, qarku me nivelin më të lartë të mbetjeve të pamenaxhuara ishte Gjirokastra me 29,3%, ndjekur nga Elbasani me 27,4% dhe Kukësi me 27,0% të totalit të mbetjeve të gjeneruara.

“Bashki të caktuara menaxhojnë 60 apo 70% të mbetjeve, praktikisht e pranojnë që jo të gjitha mbetjet i menaxhojnë; ka gjithmonë mbetje në natyrë, dhe ato janë të pamenaxhuara, duke dëmtuar jetën e qytetarëve”, u shpreh Klodian Muço, profesor i asociuar i ekonomisë politike.

Këtë shifër të ulët të menaxhimit të mbetjeve ekspertët e lidhin me mungesën e fondeve dhe dekurajimin e qytetarëve nga vetë politikat e gabuara të institucioneve.

“Qeveria shpenzon para për mjedisin, por një pjesë e mirë janë shpenzime operative, jo kapitale. Një pjesë e mirë shkojnë për paga punonjësish, shumë për turizmin, shkonin për pyjet, që hartoheshin plane menaxhimi; prodhojmë shumë dokumenta, shumë shkresa, dhe paratë na ikin te këto shkresa dhe nuk ngelen te investimi në terren”, u shpreh Klodian Muço, profesor i asociuar i ekonomisë politike.

“Në momentin që qytetarët detyrohen t’i ndajnë mbetjet dhe shkon i merr vetëm një makinë, krahas asaj që nuk marrim rezultatet e pritura nga skema që kemi aplikuar, kjo kthehet në mosbesim të qytetarëve. Nëse ne i çojmë mbetjet të padiferencuara, është një gabim, por nëse ne i mbledhim me makinë dhe i bëjmë bashkë, është një gabim më i rëndë se ai i pari, sepse është një gabim që bëhet nga vetë institucionet, dhe qytetarët do të jenë gjithmonë skeptikë”, u shpreh Kristi Bashmilli, ekspert mjedisi.

Ekspertët thonë se, ndonëse kemi firmosur një sërë marrëveshjesh dhe aktesh me qëllim që të reduktojmë mbetjet, të rrisim riciklimin që të bëhemi pjesë e BE-së, siç është Marrëveshja e Parisit, Traktati i Sofjes, Agjenda e Gjelbër 2030, Agjenda që deri në 2050 duhet të bëhemi zero karbon, sërish Shqipëria është shumë larg menaxhimit të duhur të mbetjeve.

“Kemi një sërë nismash dhe detyrimesh që kemi marrë, por jemi shumë mbrapa në këtë aspekt”, u shpreh Klodian Muço, profesor i asociuar i ekonomisë politike./Top Channel


Shtuar 29.10.2025 23:30