Kandidatja e PS për bashkinë e Shkodrës më 6 mars, Majlinda Angoni është riemëruar sërish në krye të Prefekturës së Bashkisë Shkodër, pasi humbi në zgjedhje.
“Në mbështetje të neneve 100 e 114 të Kushtetutës dhe të nenit 5, të ligjit nr.107/2016, “Për prefektin e qarkut”, me propozimin e ministrit të Brendshëm, Këshilli i Ministrave vendosi Znj. Majlinda Angoni të emërohet prefekt i Qarkut të Shkodrës. Ky vendim hyn në fuqi menjëherë dhe botohet në “Fletoren zyrtare””, thuhet në vendimin e Këshillit të Ministrave.
Angoni dha dorëheqjen nga drejtimi i prefekturës para zgjedhjeve të pjesshme që u zhvilluan në 6 bashki të vendit. Ajo e mori këtë detyrë në shtator 2020, por u largua kur kryeministri Rama e caktoi për kandidate për kryetare bashkie.