Nikoll Lesi shkruan se kandidatura potenciale e opozitës për kryetar të Bashkisë së Tiranës, është Ilir Meta.
Në një shënim në gazetën “Koha Jonë”, thuhet se kandidatura e Metës, është e vetmja që do ta vinte Erion Veliajn në vështirës, sepse sipas Lesit, të tjerët ai, pra lali, “i ha me qofte”.
Ja shkrimi në KJ:
Dje nga burime pranë opozitës PD-LSI doli lajmi se Ilir Meta do të kandidojë në zgjedhjet e ardhshme vendore për kryebashkiak të Tiranës. Kandidimi në emër të gjithë opozitës, thanë burimet.
Pavarësisht se sot është President deri me 24 korrik të këtij viti, por Ilir Meta nuk e lë fatin e tij politik në mëshirë të fatit. Duke qenë lojtar luftëtar ai kërkon përballjen. Deri në vitin 2025 kur janë zgjedhjet parlametare, nuk i pritet. Në maj të vitit të ardhshëm janë zgjedhjet vendore dhe synimi për të marrë bashkinë e Tiranës, ku janë mbi 1 milionë banorë, do të jetë impenjimi maksimal i tij.
Por Erion Veliaj ka ngulur rrenjët shumë thellë në Tiranë. Ai e ka shpallur vetë kandidaturën. Të ndeshësh me Veliaj duhet kurajo e madhe, sepse ke përballë mur të lartë, por Meta nuk ia përton për ta shembur murin Veliaj, thanë burimet në opozitë.
Ndërkohë që lajmi doli mbrëmë, nuk kanë pushuar sms-të dhe telefonatat, nëse kjo e Ilir Metës është bllof apo ka të vertetë brenda. Nga kampi i opozitës e konfirmojnë se vetëm Ilir Meta mund ta marrë bashkinë e kryeqytetit, sepse kandidaturat e tjera i “ha me qofte lali Eri”.
Sot Veliaj ka postuar foto nga një takim me të rinjtë nga Ballkani Perëndimor që kanë ardhur për të parë Tiranën e Lali Erit, e cila ka ndryshim drastik.
Ja se çfarë shkruan Veliaj: “24 të rinj nga BALLKANI PERËNDIMOR vizituan #EuropeanYouthCapital2022.
Ata morën pjesë në edicionin e 5-të të “Youth Trail, organizuar nga OSBE, nën moton “Së bashku për Sigurinë”.Faleminderit për vizitën dhe mos harroni t’u rrëfeni edhe miqve tuaj për Tiranën e bukur!”.
“Mos harroni tju tregoni miqve tuaj për Tiranën e bukur”- nënvizon Erion Veliaj.
Nënteksti se kaq të mirë e të bukur nuk mund ta bëjë asnjë tjetër përveç Lali Erit, qoftë edhe Ilir Meta!
Por nxjerrja e emrit të Ilir Metës një vit para zgjedhjeve vendore duket si një orkestrim nga opozita për të treguar se PD-ja po riorganizohet dhe se pas largimit me 24 korrik të Ilir Metës nga presidenca, do të jetë një dyshe e fortë Berisha-Meta. Natyrisht kundër Ramës.
Synimi për të marrë bashkinë më të madhe në Shqipëri, ku ndërthuren interesa të mëdha ekonomike sikurse edhe politike, duket se do të jetë fronti kryesor nga dyshja Berisha-Meta./albeu.com