Bashkia e Tiranës nuk i shkon as Ogertës dhe as Florit/ Gjykata Kushtetuese jep vendimin për Erion Veliajn

Gjykata Kushtetuese i ka vënë vulën! Bashkia e Tiranës nuk i përket as Ogerta Manastirliut dhe as Florjan Binajt, dy kandidatët të cilët u bënë gati paraprakisht për të garuar në zgjedhje për të marrë drejtimin e kryeqytetit pas shkarkimit të Erion Veliajt.

Sipas raportimeve nga Top Channel, vendimmarrja në trupën e gjyqtarëve të “Kushtetueses” ka qenë 5 me 3 në favor Erion Veliajt, duke rrëzuar kështu vendimin e qeverisë që shkarkonte kryebashkiakun e Tiranës, pas propozimit që i kishte bërë Këshilli Bashkiak i Tiranës.

Në këtë mënyrë, Gjykata Kushtetuese i ka treguar Edi Ramës dhe publikut se kush do të jetë “zot” i kryeqytetit. Kujtojmë se Kryeministri Edi Rama në mbledhjen e Asamblesë së Partisë Socialiste, i kërkoi Këshillit Bashkiak të Tiranës procedurat e shkarkimit të Erion Veliajt, ndërsa shpalli si kandidate të PS, Ogerta Manastirliun.

Kujtojmë se Erion Veliaj më datë 31 Tetor mori pjesë në seancën gjyqësore në “Kushtetuese”, një seancë maratonë që zgjati rreth 7 orë. Veliaj kërkoi shfuqizimin e vendimit të Këshillit të Ministrave për shkarkimin e tij si të papjtueshëm me Kushtetutën, si edhe shfuqizimin e dekretit të Presidentit Begaj për shpalljen e zgjedhjeve në Tiranë.

Pas parashtrimit edhe njëherë të kërkesave të tij dhe argumenteve nga mbrojtësit ligjorë, Gjykata Kushtetuese u tërhoq për të marrë vendim, ndërsa Erion Veliaj iu drejtua sërish qelisë së paraburgimit në Durrës.


Shtuar 3.11.2025 17:23