Bashkëpunëtorët e quanin “Visi i Pazarit”/ Si u zbulua efektivi i Operacionales

Këtë mesditë, Agjencia e Mbikëqyrjes Policore, ka arrestuar efektivin e Forcave Operacionale Ervis Shkurta, pasi ky i fundit dyshohet se ka qenë pjesë aktive e sigurimit të kushteve, për tregtimin e lëndës narkotike nga tre të rinj që u arrestuan me rreth 1 kg kokainë.

Në aksionin e mbrëmjes së të enjtes ku antidroga e Tiranës arrestoi 3 të rinjtë, 38-vjeçari Shkurta ishte afër vendit të ngjarjes dhe sapo ka parë që kolegët e tij, ka njoftuar grupin tjetër kriminal që prisnin për të marrë kokainën që të largohen.

Mësohet se efektivi, i kishte rënë telefonit të një prej të arrestuarve 7 herë mbrëmjen kur u kapën nga Antidroga.

Po ashtu, ai kishte dërguar një mesazh ku pyeste “A mbaruat punë?”

Polici u zbulua pas zbërthimit të celularëve, ku agjentët kanë gjetur biseda mes të arrestuarve me një person me emrin ‘Visi i Pazarit’.

Polici kontaktonte me një numër anglez me të arrestuarit, ku komunikonin për drogën.

Polici ka mohuar që të jetë i lidhur me grupet kriminale kur është marrë në pyetje.

Sipas hetimeve të deritanishme, hetuesit dyshojnë se roli i efektivit ishte që të siguronte shkëmbimin e drogës dhe të parave mes grupeve kriminale.


Shtuar 23.03.2024 13:37