Ish-kryedemokrati Lulzim Basha ka mbajtur një takim me qytetarë në zonën e “Ali Demit” në kryeqytet.
Ai tha se hapja e PD-së ndaj të rinjve dhe rejave është një nga prioritetet e opozitës, teksa shtoi se kjo parti do të krijojë një aleancë të gjerë politike dhe qytetare duke i dhënë rëndësi votës.
REAGIMI:
Hapja e Partisë Demokratike ndaj të rinjve dhe të rejave është një nga prioritetet tona.
Harmonizimi i frymës dhe pasionit të rinisë me përvojën dhe profesionalizmin e kontributorëve ndër vite, është një hap i rëndësishëm në riorganizimin që kemi nisur, për t’i dhënë shqiptarëve një alternativë më të mirë.
Natyrisht pjesë e saj do të jenë të gjithë ata që duan ndryshim, që duan që për qeverisjen dhe deputetët të vendosin qytetarët dhe jo bandat kriminale që sot kontrollojnë shtetin, ekonominë, policinë, zgjedhjet, jetën e vendit.
Ne do të krijojmë një aleancë të gjerë politike dhe qytetare, që frikës dhe pasigurisë që ka pllakosur shoqërinë tonë, t’i kundërvihet me shpresë dhe besimin se gjërat mund të ndryshojnë për mirë, duke i dhënë rëndësi votës së qytetareve, që nis me zhbërjen e ndryshimeve kushtetuese të 2008-ës.
Që zëri i qytetarëve të dëgjohet, vullneti i tyre të përfaqësohet dhe interesat e tyre të mbrohen, do të punojmë fortë që mekanizmat kushtetues të jenë në shërbim të tyre, duke hapur listat, pastruar politikën përmes vetting-ut, kufizuar mandatin e kryeministrit, garantuar votën e diasporës, duke i dhënë më shumë kompetenca Parlamentit dhe Presidentit të Republikës, për të garantuar kontrollin dhe balancat e pushteteve.