Basha rikthehet në krye të PD-së? Takim me të rinjtë e Kamzës: Sot është koha që demokratët të ulin thikat

Ish-kryetari i Partisë Demoratike, Lulzim Basha e ka ndalur turin e takimeve të tij në Kamzës, ku ka bashkëbiseduar me mbështetës demokratë.

Basha ka postuar në Facebook foto nga takimi në Kamzë, ndërsa shprehet se tashmë ka ardhur koha që shqiptarët, të majtë apo të djathtë qofshin duhet të bashkohen.

Ndër të tjera Basha bëri thirrje për vettingun e politikanëve. Ai tha se të gjithë duhet të hapin letrat dhe të tregojnë pasuritë që kanë, duke filluar nga vetë ai i pari.

“Sot është koha që demokratët të ulin thikat, duke filluar nga ai që i ngriti i pari, sepse e kemi kundërshtarin politik të ulur këmbëkryq në familjet tonë me ndihmën e atij që nxiti këtë luftë brenda nesh”,shkruan Basha.

Vetëm pak ditë pas humbjes në zgjedhjet e 14 majit, Enkelejd Alibeaj dha dorëheqjen nga drejtimi i PD-së dhe pozicioni i kreut të grupit parlamentar. Pas dorëheqjes së tij, Alibeaj tha se partia duhet të riorganizohet për t’u ndarë nga Sali Berisha dhe për të ndërtuar aleancë me potencial për zgjedhjet e vitit 2025.

Si rrjedhojë, Gazment Bardhi u zgjodh kryetar i grupit parlamentar pas dorëheqjes së Enkelejd Alibeaj. Sakaq largimi Alibeajt ka sjellë në dritë skenarin për rikthimin e Lulzim Bashës. Burime bëjnë me dije se Lulzim Basha do të zhvillojë sot një takim me të rinjtë e FRPD-së në një hotel në Tiranë.

Ia vlen të theksojmë se Lulzim Basha nuk ka folur publikisht për një rikthim në PD. Mbetet për tu parë se si do procedohet me liderin e PD-së zyrtare.

Postimi i plotë

Kënaqësi të bisedoja me të reja dhe të rinj të Kamzës, ku na u bashkuan edhe anëtarë e kontributorë të Partisë Demokratike.

Sot është koha që bashkë me shqiptarët, të majtë e të djathjë, t’i japim fuqi votës dhe zërit të qytetarëve përmes listave të hapura, vetting-ut në politikë, kufizimit të mandateve e votës së emigrantëve. Për këtë ne duhet të bëjmë gjithçka mundemi duke kërkuar edhe referendum.

Ata do mundohen të na pengojnë. Ata që duan monopol mbi politikën, median, ekonominë duan që Shqipëria të mbetet në duart e atyre të treve, siç ka qenë për mbi 30 vite. Por më 14 maj shumica i ka kthyer kurrizin treshes, dhe kjo i ka shqetësuar, prandaj kanë hapur sërisht thesin e mashtrimeve, që i thonë sot e i përgënjeshtrojnë po vetë nesër.

Unë kam vetëm një përgjigje për ata, dhe këdo që u beson atyre. Të hapim letrat dhe të tregojmë pasurinë e çdo politikani. Le ta fillojmë me mua dhe rrethin tim familjar dhe më pas me ata, fëmijët dhe familjarët e tyre. Të shohim a i justifikojnë apo jo? Ky është vettingu i politikanëve. Këtë se duan, sepse duan të baltosin dhe të godasin këdo që trazon agjendën e tyre.

Sot është koha që demokratët të ulin thikat, duke filluar nga ai që i ngriti i pari, sepse e kemi kundërshtarin politik të ulur këmbëkryq në familjet tonë me ndihmën e atij që nxiti këtë luftë brenda nesh. Unë e mora vendimin tim! Vendosa të sakrifikoj veten në interes të demokratëve, duke duruar edhe gjithfarë mashtrimi. Ai ka bërë të kundërtën, sakrifikoi interesin e demokrateve për interesat e tij personale. Për këtë, çdo ditë e më shumë, koha po na jep të drejtë!

/albeu.com/ 


Shtuar 5.06.2023 10:59