Basha paralajmëron nisma ligjore dhe padi, kush e ka radhën?

Kryetari i Partisë Demokratike, Lulzim Basha, ka paralajmëruar padi në Gjykatën Kushtetuesë për fondet e rindërtimit.

Basha është shprehur gjithashtu se Partia Demokratike do të bllokojë atë që e quan ligj të oligarkëve. Bëhet fjalë për ligjin për investimet strategjike që sipas Bashës, krijon hapsirë për pastrim parash nga ana e bosëve të drogës dhe oligarkëve.

“Ajo që ka ndodhur sot është se një ish deputet i Partisë Demokratike është futur me ndihmën e familjarëve dhe kriminelëve për të thyer dyert e Partisë Demokratike për të hequr vëmendjen nga detyra që ne kemi për të mbrojtur njerëzit nga korrupsioni i Edi Ramës. Po e vazhdon ta bëjë këtë ditë për ditë sepse lufta opozitare në parlament, media dhe publik, për fat të keq sa i takon ekraneve i duhet të konkurrojë me vandalizmin dhe dëshpërimin në formën e dhunës. Ne do të ecim përpara për zbardhjen e plotë të aferës së inceneratorëve.

Hapi i parë është thirrja për Edi Ramën që të zhbllokojë komisionin hetimor për t’u mbledhur nesër në orën 12:00. Çdo gjë tjetër është një provë. Edi Rama është koka e vërtetë e inceneratorëve. Dje ka kaluar një aferë. Është shtyrë ligji për investimet strategjike për t’i dhënë oligarkëve shqiptarë të drejtën për të pastruar paratë e drogës. Ky ligj është kundërshtuar nga Partia Demokratike. Shfokusimi nga kjo tjetër betejë është një tjetër shërbim që i bëhet Edi Ramës sot nga Sali Berisha. Ne nuk do të lejojmë që shtyrja me dy vjet e këtij ligji të kalojë si rutinë.

Kemi denoncuar rastin e Damian Gjiknurit në Jalë ku po grabiten pronat për të ndërtuar dhe për të pastruar paratë e korrupsionit. Po shtohen territoret e grabitura në Palasë nga oligarkë si Samir Mane me shokë. As oligarkët dhe as mediat që financohen prej tyre nuk do na shfokusojnë dot nga beteja jonë kundër korrupsionit. Fondet e tërmetit janë vjedhur. Çdo gjë është e dokumentuar nga OJF, të cilat kanë përpiluar materialin që tregon si janë vjedhur paratë e atyre që qëndrojnë akoma në çadër. Brenda Dhjetorit PD duke shfrytëzuar hapësirën kushtetutese do depozitojë në Gjykatën Kushtetuese padinë sa i takon korrupsionit me tenderat e rindërtimit”, tha Basha./albeu.com/