Basha nga Lezha: Detyrimi im është të dëmshpërblej ata që prisnin ndryshimin më 25 prill

Kryetari i PD-së Lulzim Basha, në një takim me demokratët e Lezhës, ka folur për zgjedhjet e 25 prillit.

Basha është shprehur se pavarësisht masakrës së 25 prillit, PD është në këmbë dhe e vendosur për të luftuar edhe me më shumë forcë për rrëzimin e regjimit Rama-Doshi.

Më tej, kryedemokrati tha se detyrimi i tij është të dëmshpërblejë ata që prisnin ndryshimin më 25 prill.

“Sot ndodhemi në një moment tjetër, ndodhemi në momentin e një gare të brendshme e cila diktohet nga Statuti i Partisë Demokratike. Një garë e cila ka nisur si rezultat i vendimeve statutore të Kryesisë dhe Këshillit Kombëtar.

Një garë e cila është vendosur në një moment kur po zhvillohet një betejë tjetër, që i paraprin një tjetër beteje që na pret. Beteja e faktimit tashmë insituticional përkundër vullnetit  të mbrapshtë të KQZ-së së kapur dhe diktuar politikisht dhe të urdhëruar  për të mos bërë transparencë, përkundër asaj që mund të ndodhë me Kolegjin Zgjedhor, por një betejë e pashmangshme për arsye që anëtarët e Këshillit Kombëtar këtu mes nesh sot mund t’i dëshmojnë fare mirë.

Pavarësisht se ishim për proces numërimi, debati i brendshëm nisi menjëherë dhe vendimi i Kryesisë dhe i Këshillit Kombëtar ishte unanim. Le mos ta lëmë këtë debat për një vlerë të jashtëzakonshme të partisë tonë që është zgjedhja me një anëtar një votë e kryetarit të partisë. Le ta zhvillojmë aty ku e ka vendin para antarësisë dhe në shinat e statutit.

Duke bërë këtë isha i vetëdijshëm se roli im kryesor për të vazhduar betejën së bashku ishte t’i përdorja këto mikrofon për ta shumëfishuar mesazhin  drejtuar shqiptarëve dhe çdokujt që ka veshë të dëgjojë, përfshirë edhe kundërshtarët tanë politikë, se pavarësisht masakrës së 25 prillit ne jemi në këmbë, ne jemi të vendosur, ne jemi të vetëdijshëm, ne nuk jemi dorëzuar dhe po bëhemi gati të kthehmi më të fuqishëm dhe më të vendosur se kurrë për t’i dhënë një goditje vdekjeprurëse regjimit të 25 prillit.

Sepse detyrimi im kryesor sot para jush dhe para shqiptarëve, është që dëshpërimin e atyre që e prisnin ndryshimin më 25 prill, e donin ndryshimin më 25 prill, të asaj shumice që e votoi, të asaj shumice edhe më të madhe që e donte dhe që e do sot edhe më shumë se më 25 prill, t’i paraprin me mesazhin e shpresës dhe të vendosmërisë”, tha Basha./albeu.com


Shtuar 31.05.2021 14:08