Ditën e djeshme, drejtuesi Politik i Koalicionit Euroatlantik, Lulzim Basha, ka zhvilluar një takim me shqiptarët në Athinë.
Gjatë fjalës së tij, Basha tha se që të luftosh korrupsionin duhet të mbështesësh SPAK. Sipas tij, kush thotë që është kundër korrupsionit dhe kundër SPAK, është me korrupsionin.
Basha tha se lufta kundër korrupsionit bëhet me akte, jo me fjalë dhe këtë e kanë treguar më së miri Demokratët Euroatlantikë.
Ai solli në vëmendje projektligjin për vettingun e politikanëve dhe projektvendimin për heqjen e imunitetit të politikanëve, të cilat prej një viti ndodhen të depozituara në Parlament, por që Edi Rama dhe garda e vjetër nuk e fusin as në shqyrtim në rendin e ditës.
“Me ligjin tonë për vettingun e politikanëve, ndahet shapi nga sheqeri siç thotë populli, Dhe atëherë e kuptojmë kush është i korruptuar, e kush jo, kush është i lidhur me krimin e kush jo, kush i justifikon pasuritë e tij, të familjes së tij, të të afërmve të tij dhe kush jo”, tha Basha.
Më tej, Basha tha se kur të vij 11 maji, në fletën e votimit ka vetëm një forcë politike e cila është me akte dhe me vepra në krah të SPAK, që drejtësia t’i ndëshkojë politikanët e korruptuar dhe kjo është kolona 4, është Koalicioni Euroatlantik, janë kandidatët e koalicionit.
“Lufta kundër korrupsionit, bëhet me akte dhe jo me fjalë. Ndaj mbajeni mend, kur të vij ajo ditë e 11 majit dhe të shikoni atë fletë votimi, ka vetëm një forcë politike, ka vetëm një alternativë e cila është me akte dhe me vepra në krah të SPAK, që drejtësia mos t’i mbrojë por t’i ndëshkojë politikanët e korruptuar dhe kjo është kolona 4, është Koalicioni Euroatlantik, janë kandidatët tanë”, tha Basha.
Basha, foli për rëndësinë e heqjes së vizave për shqiptarët me Bashkimin Europian. Ai kujtoi periudhën kur ishte ministër i Jashtëm dhe shpesh shihte dhimbjen e familjeve që nuk mund të vizitonin të afërmit për shkak të vizave. Basha tha se ky ishte një motivim i madh që e shtyu të punonte për heqjen e vizave për shqiptarët.
Ai gjithashtu, ritheksoi angazhimin që ashtu siç arriti të hiqte vizat për Bashkimin Europian, do të punojnë për të hequr vizat edhe me SHBA-të dhe Britaninë e Madhe.
“Ishte një kohë kur ishim krah për krah me Kroacinë në anëtarësimin në NATO. Dhe sot jemi në të njëjtën tavolinë si Republika Helene, si Greqia në aleancën më të fuqishme ushtarake dhe të vlerave në botë në NATO. Dhe t’ia themi këtu nga Athina, t’ia kujtojmë kryeministrit që tavolina ku e kam ulur Shqipërinë, është e vetmja tavolinë ku ai ulet dhe sot e kësaj dite me partnerët Euroatlantik. Kjo është një provë tjetër se kur ke një qeveri dhe një kryeministër që parësor kanë interesat e njerëzve, nuk ka asgjë të paarritshme. Dhe sot nga Athina, meqë përmendëm shembullin e Kroacisë që tani është bërë anëtare e Bashkimit Europian dhe janë hequr dhe vizat me SHBA, dua ta përsëris zotimin tim se ashtu siç punuam dhe hoqëm vizat me Bashkimin Europian, do të heqim vizat për shqiptarët me SHBA-të dhe Britaninë e Madhe”, tha Basha.
Basha nuk ka harruar të thumbojë sërish kreun e mazhorancës Edi Rama.
Në një video të shpërndarë në rrjetet sociale, teksa shfaqet në krah të kandidatit euroatlantik në Athinë, Basha i kujton Ramës se është i mbushur nga hajdetutët në krah të tij.