Basha: Marrëveshja me Kurum si ajo e rafinerisë së Ballshit, skemë mashtruese për zgjedhjet

Kryetari i PD-Demokratët Euroatlantikë, Lulzim Basha e ka cilësuar si skemë mashtruese para zgjedhjeve marrëveshjen e kompanisë “Kurum” me kryebashkiakun e Elbasanit, Gledian Llatja.

Në një reagim në rrjetet sociale Basha u shpreh se, “marrëveshja e sotme është ripërsëritje e skemës hileqare të uzinës së Ballshit, ku para zgjedhjeve u premtojnë punë, paga, mbështetje, por pas zgjedhjeve do t’i hedhin në rrugë”.
Ai më tej shtoi se po bëhet gjithçka për të mbuluar skandalin e mbetjeve toksike, ku, nënvizoi ai, “deklaratat e qeveritarëve treguan se është vepruar si një organizatë kriminale, për të cilën SPAK duhet të hetojë”.

Basha gjithashtu theksoi se, duhet të marrë fund koha kur qytetarët shihen si vota e më pas lihen në mëshirë të fatit.

“Duhet të marrë fund koha, kur qeveria luan me bukën e gojës së shqiptarëve, vetëm e vetëm për të mbajtur pushtetin. Që të punësuarit pranë kompanisë të mostrajtohen si plaçkë lufte mes atyre që po përpiqen të fshehin përgjegjësitë për çfarë kanë bërë përgjatë këtyre viteve, skandalin e mbetjeve toksike dhe lojën e turpshme elektorale në kurriz të qytetarëve që luftojnë për mbijetesë, institucionet e drejtësisë duhet të ngrihen në lartësinë e detyrës dhe të zbardhin me shpejtësi dhe rigorozitet këtë aferë çnjerëzore, që dëmton shëndetin, sigurinë dhe imazhin e Elbasanit dhe Shqipërisë duke nxjerrë përpara drejtësisë çdo zyrtar të lartë të përfshirë në këtë histori rrëqethëse”, u shpreh Basha.


Shtuar 4.09.2024 18:30

Tags: , ,