Lulzim Basha ka akuzuar sot Sali Berishën se i ka vjedhur idenë për heqjen e vizave me SHBA-të. Në një postim ne mediat e “demokratëve euroatlantikë”, siç vetëquhen pasuesit e Bashës, thuhet se sot, pas postimit të Bashës, të njëjtin e ka bërë edhe Berisha, duke treguar, sipas tyre, shterpësi politike për të prodhuar ide origjinale dhe premton lëvizje pa viza, kur vetë nuk shkon dot në SHBA, sepse është shpallur non grata.
Reagimi
Java që po lëmë pas u shënua nga një përplasje e ashpër në distancë mes Sali Berishës dhe Lulzim Bashës. Ish-kryeministri e sulmoi disa ditë rresht kreun e Demokratëve Euroatlantikë, gjë që tregon mungesën e sigurisë te Sali Berisha, i cili në komunikimet e vazhdueshme përpiqet ta konsideroj të mbyllur përplasjen brenda PD, duke e portretizuar veten si fitimtar në betejën e lindur pas 9 shtatorit.
Mirëpo retorika e Berishës me të cilën përpiqet të shtrëngoj rradhët e militantëve besnik, përmes të cilës përpiqet ta përshkruaj Bashën si të braktisur dhe pa alternativë, bie ndesh me realitetin politik, dhe duke e ditur potencialin politik të Bashës dhe të strukturave që drejton, Berisha e ka jetike luftën me kreun e Demokratëve Euroatlantikë. I cili përfaqëson një alternativë konstruktive brenda të djathtës dhe elektoratit gri, e cila përkrahet nga të gjithë ata që nuk pranojnë një non grata si alternativë, as një njeri në luftë frontale me SPAK për shkak të dosjeve që ka në prokurori.
Kontrasti mes dy palëve u bë edhe më i qartë ditën e sotme, 14 vite pas 15 dhjetorit të vitit 2010, kur hyri në fuqi vendimi i Parlamentit Europian për heqjen e vizave për qytetarët e Shqipërisë që udhëtojnë në shtetet e Bashkimit Europian.
Basha i pari dhe Berisha disa orë pas tij, kujtuan këtë datë si dy protagonistë të asaj ngjarje madhore për Shqipërinë.
Mirëpo në urimin e Berishës, i cili ndër të tjera binte në sy një gabim trashanik me datën, 14 vite kanë kaluar nga 15 dhjetori 2010, jo 15 siç shënon Berisha, ish-kryeministri premtonte heqjen e vizave me Shtetet e Bashkuara të Amerikës.
Por ky angazhim i Berishës nuk është gjë tjetër veçse një rrëmbim i shëmtuar nga programi i prezantuar në 1 qershor nga Lulzim Basha, i cili në platformën për politikën e jashtme premtoi si angazhim elektoral heqjen e vizave me Shtetet e Bashkuara të Amerikës.
Kjo vjedhje e programit të Lulzim Bashës nga ana e Sali Berishës që tregon shterpësi politike për të prodhuar ide origjinale, bëhet edhe më qesharake kur kujtojmë se ai që premton heqjen e vizave me Shtetet e Bashkuara të Amerikës, nuk udhëton dot vetë drejt SHBA, e jo më të marrë angazhimin për heqjen e vizave për shqiptarët, kur konsiderohet i padëshirueshëm nga partneri strategjik i Shqipërisë.
Postimi i Lulzim Bashës:
14 vjet më parë, mundi, sakrifica dhe dëshira e shqiptarëve u bë realitet falë një pune me përkushtim dhe dashuri për vendin tonë.
Shqiptarët nisën të lëvizin pa viza, të bashkohen me familjarët e tyre dhe të trajtohen si qytetarë me dinjitet në gjithë Europën.
Sot, një tjetër mision është përpara nesh: liberalizimi i vizave me SHBA-në, aleatin dhe partnerin tonë strategjik.
Ashtu siç bëmë realitet lëvizjen e lirë në BE, ne mund t’ia dalim të bëjmë realitet heqjen e vizave me SHBA-në.
Ky është angazhimi dhe përkushtimi ynë, që mund ta realizojmë si një vend që lufton korrupsionin dhe nuk bashkëjeton me të, që lufton krimin dhe nuk bashkëqeveris me të, që krijon mirëqenie për shqiptarët dhe jo për një grusht politikanësh, dhe që interesave të qytetarëve nuk u mbivendos interesat personale.
Shqipëria meriton më shumë.