Bardhi: Ku shkuan 50 mln euro të shqiptarëve? SPAK të hetojë aferën e…

Kryetari i Grupit Parlamentar të Partisë Demokratike, Gazment Bardhi ka hedhur akuza ndaj ministres së Infrastrukturës, Belinda Balluku, në lidhje me projektin e Tunelit të Llogarasë, që ai e konsideron një aferë të pastër korruptive.

Përmes një postimi në rrjete sociale, Bardhi ka kërkuar që SPAK t’i japë përgjigje pyetjes se ku kanë shkuar 50 milion euro të taksave të shqiptarëve.

“Belinda Balluku qenka rikthyer në vendin e krimit dhe paska njoftuar rihapjen e Tunelit të Llogarasë.

Kjo është një aferë e pastër korruptive, ku vlera e ndërtimit u shtua me miliona euro, që i kaluan një kompanie turke, që ishte paracaktuar nga Balluku dhe që rezulton me dokumente zyrtare që nuk ka kryer asnjë punim.

Ekzistojnë të dhëna, përfshirë dëshminë publike të një prej pjesëmarrësve në takim, se kompania fiktive turke u paracaktua si fituese në një takim në Ankara, Turqi, të zhvilluar në datën 3 Qershor 2021, pra 21 ditë para rishpalljes së tenderit.

Pyetja që po pret përgjigje nga SPAK që prej 12 Gushtit 2024 është: Ku kanë shkuar 50 milion euro të taksave të shqiptarëve? Edhe sa kohë do presin shqiptarët për një përgjigje?“, shkruan Bardhi.


Shtuar 23.05.2025 19:42

Tags: ,