Banorët kundërshtojnë shembjen e ndërtimeve në Theth/ Përplasen arshpër me policinë, paralajmërojnë protesta

Banorët e zonës së Thethit janë përplasur me policinë ditën e sotme pas aksionit për shembjen e ndërtimeve pa leje në këtë fshat turistik.

E ndërsa IKMT ka nisur shembjen e objekteve pa leje, ata janë përballur me rezistencën e banorëve të zonës, të cilët janë ngritur në protestë për të mbrojtur pronat e tyre ndërsa kanë lajmëruar dhe protesta.

Bëhet fjalë për disa shtëpiza druri të vendosura përballë kishës katolike në Theth, të cilat funksionojnë si shtëpi pushimi gjatë sezonit turistik. Ka qenë kryeministri Edi Rama, i cili ka denoncuar rastin dhe ka urdhëruar shembjen e menjëhershme të atyre ndërtimeve, duke i cilësuar si objekte të vendosura në formë të paligjshme në hapësirën publike.

Gjatë ditës së sotme IKMT ka shembur në total 5 objekte në pronësi të familjes Koçeku, ndërsa sipas IMT në total janë dhënë 40 objekte që do të shemben në të gjithë fshatin.

Me dokumente, pronare e këtyre ndërtesave rezulton një e moshuar e quajtur Lene Prroni, e cila ka thënë në Prokurorinë e Shkodrës se kishte shitur 300 dele dhe kishte marrë borxhe nga të afërmit për të ndërtuar kabinat apo vilat alpine në zemrën turistike të Thethit.

Ndërkohë, de fakto përflitet se pas këtij investimi qëndron Prek Kodra, i lakuar herë si biznesmen dhe pronar i një guroreje në Shkodër, herë snajperist i angazhuar në vrasje me pagesë.

Prek Kodra njihet ndryshe si personi që planifikoi atentat kundër kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti, ndërsa gjithashtu është i shpallur në kërkim nga SPAK si i dyshuar për lidhje kriminale me fisin Bajri apo dhe bandën e Suel Çelës.


Shtuar 8.07.2025 20:23

Tags: ,