Bamirësia e banorëve të Bërdicës në Shkodër, po i ndërton një familjeje me tre fëmijë të mitur dhe nënën e tyre një banesë, pasi fatkeqësisht një vit më parë fëmijët mbetën jetimë, pas ndarjes nga jeta të babait të tyre.
Duke qenë në kushte të vështira ekonomike dhe me një banesë thuajse të pabanuar, banorët e zonës dhuruan secili diçka, duke mundësuar ndërtimin e një banese për këtë familje.
Por ndërtimi ka mbetur në mes, pasi bashkia ka gjobitur nënën e fëmijëve dhe ka raportuar rastin në Policinë e Shkodrës, për ndërtim pa leje.
A2 CNN, raporton se ky veprim ka indinjuar banorët, të cilët i kërkojnë bashkisë që të japë ndihmën e saj për sistemimin e kësaj familjeje, e jo të bllokojë punimet apo të procedojë penalisht nënën me tre fëmijët jetimë.
Sakaq, nga Bashkia e Shkodrës, ende nuk ka asnjë reagim në lidhje me këtë rast.