Banka Botërore: Që Shqipëria të zhvendoset nga niveli i mesëm në nivelin e lartë të të ardhurave, duhet të ndodhë një transformim

Për menaxherin e zyrës së Bankës Botërore në Shqipëri, Emanuel Salinas modeli, ekonomik i vendit ka nevojë për transformim, duke u orientuar nga eksportet dhe shfrytëzimi i burimeve natyrore dhe jo nga sektori i ndërtimit dhe konsumit.

Gjatë fjalës përshëndetëse të mbajtur në workshopin “Inxhinieria e qëndrueshme në 360 gradë” e zhvilluar në Tiranë nga Italian Trade Agency (ITA) në bashkëpunim me Shoqatën e Inxhinierisë, Arkitekturës dhe Konsulencës Teknike- Ekonomike në Itali (OICE), teksa vlerësoi pozitivisht trendin rritës të ekonomisë dhe uljes së varfërisë, theksoi se Shqipërisë i nevojitet një modeli i ri ekonomik për të shtuar produktivitetin dhe vendet e punës.

“Nëse do të shihni përbërjen e GDP-së, peshën kryesore e zë sektori i ndërtimit dhe konsumi. Që Shqipëria të zhvendoset nga niveli i mesëm në nivelin e lartë të të ardhurave për frymë, duhet të ndodhë një transformim. Duhet të zhvendoset nga pagat e ulëta dhe produktiviteti i ulët, te prodhimi me vlerë të shtuar më të lartë dhe më i orientuar nga eksportet. Fokusi duhet të jetë në shfrytëzimin e burimeve natyrore për rritjen e produktivitetit dhe të investimeve. Pra që të ndodhë transformimi nga ndërtimi dhe konsumi, ekonomia duhet të orientohet drejt rritjes së eksporteve”.

Menaxheri i zyrës së Bankës Botërore në Shqipëri, Emanuel Salinas, u ndal edhe te problematika e fuqisë punëtore, ku sipas tij në bashkëpunim me qeverinë po punohet për rritjen e cilësisë së edukimit të të rinjve dhe në sektorin shëndetësor.

“Për sa i përket fuqisë punëtore, ne e dimë që në Shqipëri ashtu si në shumë vende të tjera të rajonit po humbet me shpejtësi një pjesë e konsiderueshme e kapitalit njerëzor. Plazhet e bukura apo malet nuk janë burimi i Shqipërisë, është kapitali njerëzor burimi i saj, njerëzit e talentuar të këtij vendi, sidomos të rinjtë.

Kontributi i tyre është i rëndësishëm për rritjen e produktivitetit të ekonomisë dhe ardhjen e kompanive të huaja. Por kjo është një gjë për të cilën ne të gjithë se bashku duhet të bëjmë më shumë. Nga ana jonë jemi duke punuar me qeverinë për të rritur cilësinë e edukimit të të rinjve në shkollat profesionale dhe në universitete. Gjithashtu po punojmë edhe në sektorin e shëndetësisë, pasi është shumë e rëndësishme të krijojmë oportunitet që popullata të qëndrojë në Shqipëri.

Tre janë prioritet e Bankës Botërore në Shqipëri: E para është të krijohen vende pune, dhe me paga të larta. Ka vende punë në sektorin e ndërtimit, në sektorin katering, por nuk ofrohen vende pune në sektorë të tjerë. Prioriteti i dytë është kapitali human. Kjo është e rëndësishme jo vetëm për vendin, por ehe për kompanitë e huaja që vijnë në Shqipëri. Prioriteti i tretë është rimëkëmbja e vendit, pas goditjeve nga tërmetit të 2019-s, pandemia e Covid-19 apo kriza energjetike”, pohoi ai.

Mbajtja e forumit në Tiranë për infrastrukturën, mori shkas nga zhvillimi i dukshëm i viteve të fundit i arritur në ketë sektor dhe perspektivat e mëtejshme të rritjes, që lidhen me programet e investimeve të qeverisë në funksion të anëtarësimit të ardhshëm të Shqipërisë në BE.

Ndër të tjera, nisma synoi forcimin e ndërsjellë të bashkëpunimit për ofrimin e eksperiencës të sipërmarrësve italianë ndaj atyre shqiptarë dhe nga Kosova për adoptimin standardeve europiane, në projektime inxhinierike me qëndrueshmëri ekologjike, si për veprat publike dhe investime private që po zhvillohen në Shqipëri./Monitor


Shtuar 12.06.2024 07:42