Qeveria është vënë nën alarm nga shpërthimi i skemës gjigande të mashtrimit me kreditë e këqija, e cila ka çuar në rrënimin financiar dhe tjetërsimin e pronave të mijëra familje shqiptare.
Përmes një shkresë zyrtare, ministria e Drejtësisë i ka kërkuar Bankës së Shqipërisë që të ndërhyjë urgjent duke bllokuar aktivitetin e dy shoqërive Micro Credit Albania dhe Final.
“Në kuadër të parandalimit të ardhjes së pasojave të mëtejshme mbi të drejtat pasurore të qytetarëve që rezultojnë debitorë të këtyre dy institucioneve jo banka, kërkojmë nga ana Juaj të merren masa të menjëhershme të bllokimit të aktivitetit në kundërshtim me ligjin të këtyre dy institucioneve” thuhet në shkresën zyrtare.
Shkresa e ministrisë së Drejtësisë për Guvernatorin Gent Sejko është dërguar në datën 15 prill me firmën e zv/ministrit Klajd Karameta. Kërkesa për bllokimin e dy kompanive Micro Credit Albania dhe Final shënon kulmin e një situate dramatike, e cila tashmë duket se ka dalë jashtë kontrollit duke vënë nën alarm qeverinë.
“Ministria e Drejtësisë po ndjek me përparësi problematikën e krijuar nga proceset e ekzekutimit të detyruar nga dy shoqëritë Micro Credit Albania dhe Final, që po evidentohet se ka marrë përmasa masive në drejtim të cënimit të të drejtave të qytetarëve” thuhet në shkresën drejtuar Guvernatorit.
Sipas ministrisë, aktualisht këto shoqëri kanë bllokuar llogaritë bankare të mijëra qytetarëve dhe e gjithë kjo veprimtari dyshohet se ka ngarkesë kriminale.
“Veprimtaria e dyshuar kriminale ka derivuar në marrjen e pronave të qytetarëve pa dijeninë e tyre, nëpërmjet zhvillimit të ankandeve fiktive, vlerësimit fiktiv pasurive dhe po kalimit të pronësisë në të njëjtën mënyrë në favor të Micro Credit Albania” thuhet në shkresën e ministrisë së Drejtësisë.
Grabitja masive e pronave të qytetarëve përmes ankandeve fiktive u denoncua fillimisht më 1 dhjetor të vitit të kaluar.
Përmes investigimit, u gjurmua tjetërsimi i pronave të dhjetra qytetarëve nga Micro Credit Albania në bashkëpunim me dy përmbarues të lidhur me të. Por për të mësuar përmasat reale të këtij fenomeni, ministria e Drejtësisë i ka kërkuar Bankës së Shqipërisë numrin e kredive të regjistruara në emër të shoqërive Micro Credit Albania dhe Final si dhe të dhënat e e të gjithë kredimarrësve.
Po kështu përmes një shkrese paralele ministria e Drejtësisë i ka kërkuar Agjencisë Shtetërore të Kadastrës informacionin zyrtar për numrin e pasurive të paluajtshme shoqëruar me kopje të kartelave përkatëse, të regjistruara në emër të shoqërisë “Micro Credit Albania” ose “MCA” dhe shoqërisë “Final”, kur pronësia është fituar me vendim të kalimit të pronësisë nga përmbaruesi.