Balluku në takimin e P-TEC: Shqipëria, e përkushtuar për sigurinë dhe diversifikimin energjetik

Zëvendëskryeministrja, njëherësh ministre e Infrastrukturës dhe Energjisë, Belinda Balluku, mori pjesë në takimin “Partneriteti për Bashkëpunim Transatlantik në Energji” (P-TEC), i organizuar nën kujdesin e Departamentit Amerikan të Energjisë, qeverisë greke dhe Qendrës Globale të Energjisë në Këshillin Atlantik, në Athinë.

Në takim morën pjesë Sekretari i Energjisë i SHBA, Chris Wright, si dhe ministra të Energjisë nga vendet e Europës Qendrore dhe Lindore. Takimin e përshëndeti edhe kryeministri grek, Kyriakos Mitsotakis.

Gjatë takimit, u theksua rëndësia e sigurisë energjetike dhe diversifikimit të burimeve, me qëllim uljen e ndikimit të gazit rus në Europë.

Po ashtu u nënvizua rëndësia e bashkëpunimit rajonal përmes korridoreve të reja të furnizimit, zhvillimit të infrastrukturës dhe promovimit të investimeve të përbashkëta.

“Shqipëria mbetet e përkushtuar të kontribuojë në këto përpjekje për një të ardhme energjetike më të sigurt dhe të qëndrueshme”, deklaroi zëvendëskryeministrja Balluku.


Shtuar 7.11.2025 14:34