Ministrja e Infrastrukturës dhe Energjisë Belinda Balluku, ka inspektuar këtë të Enjte Lotin 1 të Unazës së Madhe. Edhe pse puna është drejt fundit, ajo theksoi se kjo zonë ka qenë sfidë për projektin.
“Kjo është pjesa më e komplikuar, për shkak të zonës së banuar përreth dhe një pjese ujore në zonë që ka pasur nevojë për ndërhyrje. Këtu kemi pasur edhe rrugë dytësore që kanë qenë sfidë për projektin”, tha Balluku.
Një gjë të tillë pohoi edhe inxhinieri, i cili shtoi se po punohet 24 orë me të gjitha materialet për ta pasur rrugën gati më 31 Dhjetor.
“Puna ka qenë në një zonë urbane të dendur, aktualisht jemi përqendruar që të mbyllim rrugën kryesore brenda 31 Dhjetorit.
Janë me dhjetëra makineri në punë. Është shtruar asfalti, janë mbaruar instalimet elektrike, është vetëm proces montimi për ndriçimin. Drejt fundit puna parapërgatitore për sigurimin e lëndës së parë, të gjitha materialet janë në kantier”, tha ai.
Balluku ka deklaruar se dita e fundit e vitit, është afati për përmbylljen e këtij projekti kaq të rëndësishëm.