Gazetarja e kronikës së zezë Klodiana Lala, e ftuar në “Studio24”, ka folur lidhur me hetimin që SPAK po kryen ndaj Belinda Ballukut, duke theksuar se procedura hetimore është e paplotë dhe se kjo çështje pritet të prodhojë tronditje politike deri në nivelet më të larta të pushtetit.
Sipas Lalës, një hetim serioz ndaj zyrtarëve të lartë duhet të fokusohet te pasuritë që ata kanë përfituar në mënyrë të paligjshme, pjesë të cilën, sipas saj, SPAK nuk e ka trajtuar siç duhet në rastin Balluku.
“Hetimi i SPAK për Ballukun nuk është i plotë. Kur godet një zyrtar të lartë, thelbi është gjurmimi i pasurisë së marrë padrejtësisht,” deklaroi ajo.
Lala tha se shumë elementë të skandalit të tenderave të vitit 2021 u zbuluan vetëm falë të dhënave të një telefoni të sekuestruar, çka tregon se abuzimet kishin arritur përmasa të pakontrollueshme brenda institucioneve të infrastrukturës.
“Sapo kupa u mbush, zullumi nisi të shkërmoqë mazhorancën socialiste duke goditur majat e qeverisë. Rënia e Ballukut është sinjali i parë që drejtësia po i afrohet kryeministrit,” u shpreh Lala.
Gazetarja theksoi se tenderat publikë në infrastrukturë, në shumicën e rasteve, janë “të paracaktuar”, duke nënkuptuar se fituesit shpesh caktohen paraprakisht mbi baza interesash të ngushta.
“Pjesa më e madhe e tenderave në infrastrukturë janë të përcaktuar. Pse? Sepse aty ka interesa dhe përfitime. SPAK ka material të bollshëm. Balluku është drejt përfundimit të karrierës politike,” shtoi ajo.
Lala komentoi gjithashtu edhe shkresën e Këshillit të Ministrave drejtuar Gjykatës Kushtetuese, ku argumentohej se pezullimi i Ballukut krijonte “pasoja të pariparueshme në funksionimin e shtetit”.
Sipas saj, kjo është një lëvizje e pastër politike.
“Mendoj se është një veprim politik. GJKKO e ka pezulluar Ballukun nga një detyrë ku ajo është emëruar, jo votuar. Qytetarët nuk zgjedhin ministra. Mandati i saj si deputete nuk është prekur,” përfundoi Lala.
