Zëvendëskryeministrja dhe njëkohësisht ministrja e Infrastrukturës dhe Energjisë, Belinda Balluku, mori pjesë sot në konferencën e dytë të nivelit të lartë të drejtorëve të përgjithshëm të Doganave të Ballkanit Perëndimor dhe vendeve anëtare të BE-së, me temë “Partneriteti doganor për një Europë të lidhur – Thellimi i bashkëpunimit doganor CEFTA-BE për lidhje të pandërprera”.
Në fjalën e saj, Balluku theksoi se procesi i zgjerimit të BE-së dhe integrimi i Ballkanit Perëndimor përbëjnë investimin më të rëndësishëm gjeopolitik të Bashkimit Evropian në këtë dekadë.
“Anëtarësimi në BE nuk ka të bëjë vetëm me zhvillimin ekonomik dhe prosperitetin, por me vlerat e përbashkëta evropiane që ndajnë popujt tanë” u shpreh ajo.
“Ne shqiptarët e dimë mirë se çfarë do të thotë të qëndrosh përpara një dere të mbyllur të një familjeje të madhe evropiane, pjesë e së cilës jemi në mënyrë natyrale. Jemi banorë autoktonë të zemrës së Evropës, mesdhetarë, si fqinjët tanë grekë e italianë”, deklaroi Balluku, duke shtuar se Shqipëria ndodhet sot në prag të certifikimit administrativ dhe zyrtar që do të mundësojë anëtarësimin e plotë në BE.
Ministrja Balluku theksoi se Shqipëria ka kaluar një të shkuar të vështirë, por ka treguar përkushtim të jashtëzakonshëm për të përmbushur detyrimet që kërkon anëtarësimi.
“Pas shumë sfidash, jemi sot më afër se kurrë portës së dikurshme të mbyllur, që sot është gjysmë e hapur. Besojmë fort në angazhimin e administratës shqiptare dhe në vullnetin politik të vendeve anëtare të BE-së për të na mirëpritur”, tha ajo.
Duke vlerësuar rolin e institucioneve që bashkëpunojnë ngushtësisht me BE-në, Balluku vuri në dukje rëndësinë që ka administrata doganore shqiptare në procesin e integrimit.
“Çdo institucion që bashkërendon punën me vendet e BE-së luan një rol kyç në rrugën tonë drejt anëtarësimit, dhe doganat janë pjesë e rëndësishme e strukturave shtetërore me detyra specifike në këtë proces”, theksoi zv/kryeministrja.
Bashkëpunimi doganor CEFTA-BE, sipas Ballukut, është një shtyllë strategjike, që merr formë përmes këtij takimi të nivelit të lartë mes drejtuesve të autoriteteve doganore të rajonit dhe BE-së.