Ballkani i Hapur: Duke filluar nga data 5 mars, qasje e lirë në tregun e punës

Nga data 5 mars, qytetarët e Maqedonisë së Veriut, të Serbisë dhe Shqipërisë do të gëzojnë qasje të lirë në tregun e punës në këto tri vende, në kuadër të nismës Ballkani i Hapur. Kjo masë synon heqjen e barrierave dhe lehtësimin e lëvizjes së lirë të njerëzve në rajon, duke përdorur shërbimet elektronike nëpërmjet marrëveshjeve ndërkombëtare të nënshkruara.

Procedura për qasje në tregun e punës do të kryhet në mënyrë elektronike, duke filluar me regjistrimin në portalin e shërbimeve elektronike në vendin e tyre. Pas marrjes së numrit identifikues të Ballkanit të Hapur (OB ID), aplikuesit mund të paraqesin kërkesën për miratim të qasjes së lirë në tregun e punës në vendet e tjera. Kjo mundëson përdorimin e shërbimeve të punësimit në Maqedoni të Veriut, Shqipëri dhe Serbi në një mënyrë të lehtë dhe efikase.

Nisma Ballkani i Hapur, e njohur më parë si Mini Shengen, është nje iniciativë e nisur më 10 tetor 2019 dhe ka për qëllim forcimin e bashkëpunimit rajonal dhe lehtësimin e lëvizjes së njerëzve dhe tregtisë në rajon. Edi Rama, Aleksandar Vuçiç dhe Zoran Zaev ishin nënshkruesit e kësaj nisme.

Nisma u kundërshtua nga opozita në Shqipëri dhe u refuzua nga Kosova, Mali i Zi dhe Bosnjë e Hercegovina. Në kuadër të saj u arritën disa marrëveshje, përfshirë edhe ato për bashkëpunim ekonomik dhe lëvizje të lirë.


Shtuar 5.03.2024 17:22