Nga Aleksandra Tomanic & Katarina Tadic “European Fund for the Balkans”
Të gjithë po flasin për bashkëpunim rajonal. Megjithatë, pak njerëz e kuptojnë plotësisht ose bien dakord mbi domethënien e tij. Ai vjen në forma të ndryshme, gjithëpërfshirëse ose jo, ndërqeveritare, politike, ekonomike, i drejtuar nga jashtë ose nga aktorët lokalë…
Padyshim që është bërë shumë në këtë drejtim. Por jo të gjithë në Ballkan kanë përfituar njëlloj prej saj. Pasi qytetarët me pasaportat e Kosovës dhe Bosnje Hercegovinës duhet ende të kalojnë nëpër një procedurë të zgjatur për t’u pajisur me vizë për të hyrë në vendin tjetër.
Bosnja është i vetmi vend në rajon, përveç Serbisë, që nuk e njeh pavarësinë e Kosovës, pasi Republika Srpska, një nga 3 njësitë federative përbërëse të shtetit, ka lidhje shumë të forta me Beogradin. Deri në vitin 2010, qytetarët e Kosovës mund të hynin në Bosnje vetëm me një miratim të posaçëm nga Këshilli i Ministrave, dhe vetëm nëse vlerësohej se ardhja e tyre ishte me interes për vendin.
Më pas kjo praktikë u ndryshua me nismën e Ministrisë së Jashtme boshnjake, në mënyrë që kosovarët të mund të aplikojnë për viza për të hyrë në Bosnje në ambasadat e saj në Shkup, Beograd apo Podgoricë, pasi në Prishtinë nuk ka ende një mision diplomatik. Procedura e mëparshme e dhënies së vizave, u zëvendësua nga një procedurë shumë më e ndërlikuar, e ndjekur nga masa reciproke e Kosovës në vitin 2014. Për shembull nëse dikush nga Sarajeva apo Banja Luka, dëshiron të kalojë një fundjavë në Prizren, të vizitojë xhaminë e saj të bukur të Sinan Pashës apo Kishën e Zoja Ljevishit, ai duhet të kalojë nëpër një procedurë të mundimshme që do t’i kushtojë shumë para dhe kohë.
Duke qenë se Kosova nuk ka një mision diplomatik në Sarajevë, qytetarët boshnjakë mund të aplikojnë për vizë për të hyrë në Kosovën vetëm në Tiranë ose Zagreb. Pra, një aplikant duhet të udhëtojë personalisht në një nga këto 2 qytete, të dorëzojë dokumentet dhe më pas të presë disa javë për një miratim, përpara se të kthehet në Zagreb ose Tiranë për ta marrë personalisht vizën.
Lista e dokumenteve të kërkuara për aplikim është e gjatë dhe e kushtueshme: një formular aplikimi, kopje e pasaportës, letër ftese nga një kompani apo individ që duhet të jetë shtetas i Kosovës (kjo e vërtetuar nga noteri, pra sërish kohë dhe para të shpenzuara), kopje të pasaportës së të ftuarit, vërtetimin e vendit të akomodimit, sigurimin shëndetësor të udhëtimit, dëshminë e pasjes së mjeteve të mjaftueshme financiare, konfirmimin e punësimit, vërtetimin se personi nuk është nën hetim (nga gjykata) etj.
Në përgjithësi, kostoja totale e marrjes së vizës për Kosovën, duke përfshirë të gjitha shpenzimet e udhëtimit, tarifat administrative, etj, është rreth 250 euro. Për një vend me një pagë mesatare më të vogël se 500 euro, kjo është përtej mundësive të shumë njerëzve, veçanërisht të rinjve.
Pra, regjimi i vizave ndërmjet Kosovës dhe Bosnje-Hercegovinës nuk është një formalitet administrativ, por një procedurë armiqësore që i bën qytetarët e vendit tjetër të ndihen si të padëshiruar. Duket sikur regjimi i vizave është krijuar me synim dekurajimin e cilitdo që të mos përpiqet të bashkojë njerëz nga i gjithë rajoni.
Në të njëjtën kohë, kjo kërkon burime financiare dhe njerëzore që vështirë se dikush i ka për këtë qëllim. Si për ironi, nuk dëgjojmë të flitet shpesh për këtë çështje, as nga zyrtarë ndërkombëtarë dhe as nga politikanë vendas, që flasin pafund për përfitimet dhe thellimin e bashkëpunimit rajonal.
Nëse 2 nga 6 vende të rajonit kanë ende një regjim reciprok të vizave, si mund të shpërfillim këtë realitet duke folur vetëm për njohjen reciproke të diplomave apo një treg të përbashkët rajonal, kur nuk ka ende një liri themelore të lëvizjes për më shumë se 5 milionë njerëz?
Bashkëpunimi rajonal në Ballkanin Perëndimor është në qendër të integrimit në BE. Dekadat e fundit është bërë shumë në këtë drejtim, janë ngritur shumë organe dhe janë marrë iniciativa rajonale (nga Këshilli i Bashkëpunimit Rajonal tek Zyra Rajonale e Bashkëpunimit Rinor), janë hequr tarifat e roaming-ut në shërbimin celular, dhe është i mundur udhëtimi vetëm me një kartë të thjeshtë identitetit.
Bosnja dhe Kosova duhet të tregojnë pjekuri shtetërore dhe një qasje konstruktive në lidhje me bashkëpunimin rajonal, duke i hequr regjimet e tyre përkatëse të vizave. Sa i përket Kosovës, qeveria po i kujton BE-së vazhdimisht dhe me të drejtë, se qytetarët e saj mbeten të vetmit në Ballkanin Perëndimor që janë të privuar padrejtësisht nga regjimi pa viza për të hyrë në zonën Shengen, edhe pse vendi i ka përmbushur që në vitin 2018 të gjitha kriteret e BE-së për heqjen e vizave.
Por Kosova nuk ka vendosur masa reciproke ndaj qytetarëve të zonës Shengen, dhe të njëjtat parime duhet të zbatohen edhe për fqinjët e saj rajonalë. Në një akt të pjekurisë politike dhe vullnetit të mirë ndaj qytetarëve boshnjakë, Kosova duhet së paku të heqë regjimin e vizave ndaj Bosnjes sa më shpejt që të jetë e mundur.
Kosova duhet ta bëjë këtë, sepse e kupton më shumë se çdo vend tjetër në rajon ndikimin e një regjimi vizash të pajustifikuar dhe që prek më shumë qytetarët e zakonshëm. Nga ana tjetër, Bosnja duhet të pranojë se hapja ndaj bashkëpunimit ekonomik rajonal nuk mund të bashkëjetojë me regjimet e ndërlikuara të vizave.
Sa për kujtesë, Zoran Tegeltija, kryetar i Këshillit të Ministrave të Bosnje Hercegovinës, ishte një nga propozuesit e zëshëm të bashkëpunimit të zgjeruar rajonal në samitin e fundit të Ballkanit të Hapur. Ndërsa Milorad Dodik, anëtari serb i presidencës trepalëshe të vendit, u shfaq gjithashtu si një mbështetës i fortë i një tregu të përbashkët rajonal për Ballkanin Perëndimor.
Nëse dëshiron t’i bashkohet ndonjë nisme rajonale të bashkëpunimit ekonomik, Sarajeva duhet logjikisht të heqë regjimin e vizave ndaj qytetarëve të Kosovës. Vendosja e një Ballkani Perëndimor pa viza në axhendën rajonale, mund të jetë një synim shumë konkret i Procesit të Berlinit, që është gati të rifillojë. /abcnews.al