Balla nga njësia 5: Me Ogerta Manastirliun në krye të Bashkisë Tiranë, do t’u japim zgjidhje hyrjeve të vendstrehimeve

Kryetari i Grupit Parlamentar të Partisë Socialiste, Taulant Balla, në cilësinë e njërit prej Bashkëdrejtuesve politikë të fushatës për Bashkinë e Tiranës në Njësinë 5, ka paralajmëruar sistemimin e hyrjeve të vendstrehimeve të dikurshme.

Përmes një postimi në rrjete sociale, duke shoqëruar një foto të tij para një ish-transheje, Balla shprehet se kjo problematikë do të marrë zgjidhje.

“Me Bashkinë Tiranë Ogerta Manastirliu me Ministrinë e Mbrojtjes do t’i japim një zgjidhje përfundimtare hyrjeve të vend-strehimeve, të cilat janë kthyer në një shqetësim të madh për banorët, si vend depozitimi mbetjesh apo dhe më keq akoma”, – ka deklaruar Balla.

Nisma synon të pastrojë dhe sistemojë këto hapësira, duke i kthyer ato në ambiente të sigurta dhe të përdorshme për banorët, në përputhje me standardet e mbrojtjes civile dhe planifikimit urban.


Shtuar 26.10.2025 15:56