Presidenti i Shqipërisë, Bajram Begaj, ka dënuar atentatin me tritol ndaj kreut të “Rithemelimit” të Vaut të Dejës, Benard Ndreca.
Begaj u ka bërë thirrje autoriteteve që të zbardhin ngjarjen dhe të vendosin autorët përgjegjës para drejtësisë.
“Mësova me shqetësim mbi vendosjen e një sasie eksplozivi në automjetin në pronësi të Bernard Ndreca, në Laç, Vau i Dejës. Dënoj me forcë aktet e dhunës ndaj çdo individi e ndaj aktivistëve politikë të çdo kahu. Nxis institucionet përgjegjëse të identifikojnë e të vendosin para ligjit personat përgjegjës”, shprehet kreu i shtetit.
Në lidhje me atentatin ka reaguar edhe ish-kryeministri, Sali Berisha. Në një prenoncim për mediet, Berisha tha se atentati ndaj Ndrecës është një akt terrori shtetëror. Berisha akuzon qeverinë Rama për këtë ngjarje, ndërsa u shpreh se shpërthimii makinës së Ndrecës është atentat i mirëfilltë politik.
Për fat të mirë nga sh[ërthimi nuk ka pësuar lëndime asnjëri. Dyshimet e vetme të Ndrecës lidhen me fillimin e fushatës zgjedhore. Ai thotë se nuk ka konflikte të mëparshme me askënd.
Ndreca i ka bërë thirrje autoriteteve që të zbardhin sa më parë ngjarjen, ndërsa tha se, nuk mbahen dot bashkitë e vendeve me presion.
“Në momentin që ka lëvizur makina nga vendi aty ka qenë shpërthimi. Skam konflikte me asnjë, kjo është e përdorur politikisht. S’më është vendosur mua por kreut të PD së Vaut të Dejës sepse këtu janë të organizuar mirë. S’kam përplasje, as kërcënime. Janë parë pamjet, vijnë dy persona, në orën 1:15 të natës, rreth 7 minuta aty, vendosin eksplozivin dhe largohen. Janë të maskuar.
Thirrja ime është, duke filluar që nga kryeministri: Të distancojnë policinë nga politika. Lërini njerëzit të votojnë të lirë. I bëj thirrje çdo lloj kahu politik, se vullneti i njerëzve dihet se ku shkon, nuk i mbani dot bashkitë e vendeve me presion”, deklaroi ai./albeu.com/