“Mirë se vini në Amerikën e Benito Bowl”. Pritja ka marrë fund: ai që pushtoi skenën e Super Bowl LX në Levi’s Stadium të Santa Clara-s, Kaliforni, në perëndim të San Jose-s në Bay Area të San Franciscos, është Benito Antonio Martínez Ocasio, superylli portorikan që e ka ndarë Amerikën, ose më mirë, sapo e ka ribashkuar, shkruan La Repubblica. Fenomeni Bad Bunny shpërthen në pushimin e Super Bowl-it, mitikun Halftime Show, dhe tingulli i tij stereofonik, i bashkuar me një salsa, reggaeton, trap, dembow, bolero dhe ritme tradicionale portorikane si bomba dhe plena, magjeps stadiumin.
Me mbërritjen e tij, temperatura arrin 19 gradë Celsius. Në topin e futbollit amerikan që mban në dorë lexohet “Together We Are America”. “Mbreti latin” ngjitet në kabllot elektrike dhe valëvit flamurin portorikan ndërsa interpreton El Apagón, i shoqëruar nga kërcimtarë që tundin flamujt e vendeve latinoamerikane, si edhe të Shteteve të Bashkuara dhe Kanadasë. Në uniformën e tij të futbollit ngjyrë kremi bie në sy numri 64. Një numër për t’u deshifruar: nëna e tij, Lysaurie Ocasio, ka lindur në vitin 1964, por mund të lidhet edhe me bilancin fillestar (të rremë) të viktimave të uraganit María të vitit 2017 ose me Kongresin e 64-të të Shteteve të Bashkuara, që miratoi Aktin historik Jones-Shafroth duke u garantuar portorikanëve shtetësinë statutore në vitin 1917.
Fillon me Tití Me Preguntó, kushtuar njërës prej hallave të reperit që e pyet për të gjitha të dashurat që ka pasur; Bad Bunny zhytet në një peizazh tipik portorikan, ku marrin pjesë madje edhe boksierë, dhe në një “pushtim” kapelash karakteristike (“pava” ose “sombrero de pava”). Skena paraqet “la casita”, shtëpinë klasike të fshatit portorikan, e shfaqur në performancat e Bad Bunny-t në ishull. Cardi B, Karol G, Alix Earle dhe Pedro Pascal gjenden mes mureve pastel të shtwpizws. Seguimo’ Aquí, jo rastësisht, është përvoja imersive e Bad Bunny-t dhe Vibee-s e vendosur në Plaza Las Américas në San Juan, Puerto Rico; një tunel autobiografik, i pasur me elemente hiper-simbolike të karrierës së artistit, përfshirë rindërtimin e studios së tij të regjistrimit dhe, pikërisht, një shtwpizë. Nën sytë e gjithë botës, Bad Bunny nuk humb kohë: “Po dëgjoni muzikë nga Puerto Rico, nga lagjet, nga barakat”. Luhet një copëz e Gasolina e Daddy Yankee, dhe ai thotë: “Arsyeja pse jam këtu është sepse nuk kam reshtur kurrë së besuari te vetja”.
Pas një vrapimi drejt Voy a Llevarte a PR dhe Safaera, vjen surpriza më e madhe: Lady Gaga i bashkohet festës dhe interpreton një version salsa të Die With a Smile. Në sfond, banda shoqëruese Los Pleneros de la Cresta luan aranzhimin e përditësuar, duke kaluar nga Baile Inolvidable, Café con Ron dhe DtMf mes një shiu fishekzjarresh. Në shenjë mbështetjeje, Ricky Martin këndon Lo Que Le Pasó a Hawaii, një këngë proteste për të paralajmëruar Puerto Rico-n që të mos pësojë të njëjtin fat si Hawaii, e cila ka humbur një pjesë të kulturës së saj për shkak të ndikimit amerikan. Në vitin 2019, kur Bad Bunny u bashkua me reperin Residente dhe këngëtaren iLe për të lançuar këngën Afilando los Cuchillos mes revoltave kundër guvernatorit të atëhershëm të Puerto Rico-s, Ricardo Rosselló, politikisht i izoluar përpara dorëheqjes, edhe Martin kishte zgjedhur të dëgjohej, duke hipur mbi tavanin e një kamioni mes turmës dhe duke valëvitur një flamur ylberi. Në mes të performancës, i shoqëruar në qiell nga një tabelë me shkrimin “E vetmja gjë më e fuqishme se urrejtja është dashuria”, një thirrje çliruese: “Zoti e bekoftë Amerikën!”.
Lavdia për emigrantët e Nju Jorkut
Në Nuevayol, Benito/Bad Bunny mostron Un verano en Nueva York të orkestrës portorikane të salsës El Gran Combo, një këngë që lëvdon praninë e emigrantëve latinë në New York City. Me këtë rast, videoklipi i tij muzikor, i publikuar më 4 korrik, Ditën e Pavarësisë së SHBA-së, përfshin një imitim gazmor të Donald Trump-it, që nënvizon rëndësinë e komunitetit latin në “Mollën e Madhe”. Bad Bunny jo vetëm që është artisti i parë latin që fitoi, pak më shumë se një javë më parë, Grammy-n për Albumin e Vitit, por është edhe “hispaniku” i parë që shkaktoi debat në momentin e shpalljes si headliner. “Nuk e mbështes. Mendoj se është një zgjedhje e tmerrshme”, kishte komentuar presidenti Donald Trump të nesërmen e njoftimit zyrtar. “Ai vetëm sa mbjell urrejtje”. Fjalimi i El Conejo Malo në Grammy Awards shënoi një pikë pa kthim në përplasjen me administratën Trump dhe zemëroi shumë konservatorët: “Para se të falënderoj Zotin, do të them një gjë: ICE jashtë, jashtë ICE. Nuk jemi të egër, nuk jemi kafshë. Jemi qenie njerëzore dhe jemi amerikanë”.
Në të vërtetë, tabu-në e Halftime Show-t Bad Bunny e kishte thyer që në vitin 2020, duke performuar I Like It dhe Callaíta së bashku me Shakira-n, paralelisht me yllin kolumbian të reggaeton-it J Balvin, i ftuar bashkë me Jennifer Lopez-in, e lindur në Bronx dhe me prejardhje portorikane. Ndikimi kulturor i Bad Bunny-t nuk njeh kufij. Mbërritja e tij në Super Bowl vjen pas një viti historik 2025. I lindur dhe rritur në Vega Baja, Puerto Rico, ai ka thyer rekorde streaming-u dhe ka realizuar albumin e tij më politik, introspektiv dhe “portorikan” deri më sot, DeBÍ TiRAR MáS FOToS, duke goditur tema si kolonizimi dhe gentrifikimi. Siç dokumenton The Athletic, Distrito T-Mobile në San Juan, Puerto Rico, dy orë para fillimit të ndeshjes, u mbush përplot.
Mbështetja në rrjetet sociale e Jennifer Lopez
Një det fansash të Bad Bunny-t u paraqit me bluza ku shkruhej “Jam këtu vetëm për Benito Bowl” dhe me kapele e fanella të WBC të Puerto Rico-s. Në sinkron, Jennifer Lopez “bllokon” X me mesazhin e saj të mbështetjes: “Bad Bunny… të dërgoj gjithë dashurinë, pozitivitetin dhe përqafimin më të madh në botë. Jemi të gjithë me ty sonte! E di që do ta shkatërrosh skenën. Jam këtu me ty ashtu siç ke qenë ti me mua. Kaq krenare! Jepi Benito! Ashtu siç di vetëm ti! #LatinoGangGang”. Më pas, postimi i Shakira-s i lidhur me videon e vitit 2020: “Duke kujtuar performancën tonë të parë së bashku në Super Bowl 2020 dhe duke të uruar, Benito, gjithë të mirat sonte”. Ylli i Hamilton, Lin-Manuel Miranda, publikoi një foto të tij me një xhaketë me flamurin portorikan. Ashtu si Bad Bunny, aktori-kantautor ka pjesërisht prejardhje portorikane. “Po bëj tifo për Puerto Rico gjatë pushimit”, shkroi ai në Instagram. Që Seattle Seahawks të përballen me New England Patriots tani është dytësore. Seattle Seahawks fituan 29-13, duke marrë titullin e dytë në historinë e tyre, të gjithë ishin me sytw te stadiumi për Bad Bunny-n. Por përpara mbërritjes së tij, mbi bar kalon një skuadër anekdotash dhe kuriozitetesh që tregojnë mirë gjendjen shëndetësore të Shteteve të Bashkuara.
Në Truth, rrjetin social të Donald Trump-it, presidenti komentoi menjëherë: “Kjo shfaqje është një fyerje ndaj Madhështisë së Amerikës dhe nuk përfaqëson standardet tona të suksesit, kreativitetit apo përsosmërisë. Askush nuk kupton asnjë fjalë nga ato që thotë ky tipi (Bad Bunny këndon vetëm në spanjisht) dhe kwrcimi është i neveritshëm, sidomos për fëmijët që po shikojnë nga e gjithë Amerika dhe nga e gjithë bota”. Me nisjen e ndeshjes vetëm pak orë larg, presidenti Donald Trump kishte parashikuar një Super Bowl “madhështor” në një video-mesazh të publikuar nga Shtëpia e Bardhë në rrjetet sociale. “Kam ndjesinë se ky do të jetë një Super Bowl i madh. E kam ndjekur gjithë sezonin. I kam parë këto dy skuadra të fitojnë, fitojnë, fitojnë”, kishte thënë, ulur pas Resolute Desk. Videoja ndërpritet në mënyrë komike pikërisht kur Trump është gati të zbulojë kë favorizon si fitues të ndeshjes. Jo rastësisht, Trump nuk mori pjesë në Super Bowl këtë vit. Kujtojmë se vitin e kaluar ishte presidenti i parë në detyrë i SHBA-së që e bëri këtë, por për këtë edicion zgjodhi një watch party në Palm Beach, Florida. “Është thjesht shumë larg”, i tha New York Post. Ndoshta nuk e imagjinonte fuqinë muzikore të Coco Jones, ish-yll i Disney Channel, që këndoi Lift Every Voice and Sing, “shkruar si himn nga udhëheqësi i NAACP James Weldon Johnson dhe përdorur gjerësisht gjatë Lëvizjes për të Drejtat Civile si thirrje beteje për afrikano-amerikanët”. Veshje e frymëzuar nga Whitney Houston, vija të kuqe, të zeza dhe të gjelbra. “Këto janë ngjyrat e flamurit panafrikan. E kuqja përfaqëson gjakun e derdhur nga populli, e zeza përfaqëson popullin dhe e gjelbra tokën e Afrikës”. Brandi Carlile intonon America the Beautiful, “një këngë shprese të brishtë për atë që Amerika mund të jetë”, e pasuruar nga SistaStrings, dueti i violinistes Chauntee dhe violonçelistes Monique Ross — dhe interpretimi i The Star-Spangled Banner nga Charlie Puth i lë të gjithë pa fjalë. Zgjat 1 minutë e 51,37 sekonda, një nga interpretimet më të shkurtra të viteve të fundit. Për krahasim, himni i vitit të kaluar, i kënduar nga Jon Batiste, zgjati 1 minutë e 59 sekonda. Relativisht të padëmshëm, Green Day, me një set prej tre këngësh, Holiday, Boulevard of Broken Dreams dhe një version “të zbutur” të American Idiot, për të festuar breza të Super Bowlit, mes tyre Emmitt Smith, Jerry Rice dhe Peyton e Eli Manning. Dy ditë para pjesëmarrjes në ceremoninë e hapjes, Billie Joe Armstrong dukej një roker tjetër krahasuar me atë të parë pasdite në Levi’s Stadium: ai vuri në dukje se ethet për futbollin nuk ia kanë shuar ndërgjegjen për ngjarjet aktuale, duke u drejtuar madje edhe agjentëve të ICE-s: “Të gjithë agjentëve të ICE-s atje jashtë, kudo që të jeni: lini punën tuaj të mjerë. Sepse kur kjo të mbarojë, dhe do të mbarojë në një moment, Kristi Noem, Stephen Miller, JD Vance, Donald Trump, do t’ju lënë si një ves të keq. Ejani në këtë anë të vijës”.
Pak orë para gongut të Super Bowl-it, protestues anti-ICE dolën në rrugë dhe zunë mbikalime me pankarta “ICE Out” përgjatë autostradës 101. Peshqirë stadiumi bardh e zi u shpërndanë tifozëve jashtë Levi’s Stadium nga grupi Contra-ICE, me një kod QR që i ftonte tifozët t’i ngrinin peshqirët me anën “ICE Out” të kthyer nga fusha sa herë që një arbitër hidhte një flamur ndëshkimi, si “flamuj ndëshkimi kolektivë kundër ICE-s”. Ana tjetër e peshqirit ka një lepur që godet një top futbolli brenda një blloku akulli. Si kundërpeshë “avangardë” e protestave, një shfaqje alternative ndaj Halftime Show-t u transmetua nga një vendndodhje ende e pazbuluar, e promovuar nga organizata konservatore Turning Point USA, me Kid Rock si headliner dhe artistët country Brantley Gilbert, Gabby Barrett dhe Lee Brice në skenën anti-Bad Bunny. Disa minuta para fillimit të eventit, Turning Point USA nuk arriti ta transmetojë në streaming The All-American Halftime Show në X për shkak të problemeve të licencimit. Kush, mes shikuesve, zgjodhi Kid Rock & Co. gjatë pushimit, u detyrua të kalojë në kanalin YouTube të Turning Point USA.
NBC njoftoi se do të transmetojë një pjesë të shfaqjes para-ndeshjes nga Ishulli i Alcatraz-it, që dikur strehonte një burg federal të sigurisë së lartë. Ish-burgu federal më i famshëm në botë, në Gjirin e San Franciscos, 2 km larg bregut, është shndërruar në një muze popullor që tërheq më shumë se 1 milion vizitorë çdo vit. Herë e parë absolute për një program të transmetuar drejtpërdrejt prej andej. Super Bowl rimon edhe me establishment-in: disa nga trailer-at e filmave më të rëndësishëm të vitit u shfaqën gjatë eventit. Nga Disney, që vuri gjithçka në promovimin e The Mandalorian & Grogu, filmi i parë kinematografik i Star Wars që nga viti 2019, te Paramount, me lançimin e një spoti të ri për Scream 7, i pari i serisë i projektuar në IMAX. Më pas, Toy Story 5, që del këtë verë, thriller-i me alienë i Steven Spielberg Disclosure Day, The Super Mario Galaxy Movie, Jumpers dhe Minions 3.
Reklamat fokusohen te shëndeti, solidariteti dhe e qeshura
Sa i përket Hollywood-it, në ekran shfaqet aktori Kevin Costner, më i njohur për bejsbollin sesa për futbollin. Mjafton të rikujtohen Bull Durham (1988), ku luan Crash Davis, një lojtar me përvojë i ligave të vogla; Field of Dreams (1989), filmi i tij më i njohur për bejsbollin, në rolin e Ray Kinsella-s, një fermer nga Iowa që ndërton një fushë për “sportin e diamantit” në arën e misrit; For Love of the Game (1999), si Billy Chapel, një hedhës veteran i Detroit Tigers. Tifozët e futbollit në Levi’s Stadium i dhanë një duartrokitje të ngrohtë. Reklamat e Super Bowl-it nuk duhen nënvlerësuar, të zhytura në një “reçel” kohësh të vështira. Reklamuesit u fokusuan te shëndeti, solidariteti dhe e qeshura. Sabrina Carpenter përpiqet të ndërtojë burrin perfekt me Pringles, Benson Boone dhe Ben Stiller luajnë një duo disko që bën salto për Instacart, Andy Samberg, në rolin e “Meal Diamond”, spërkat majonezë Hellmann’s mbi sanduiçët e Elle Fanning dhe klientëve të tjerë të delikatesës. Gjithashtu, arinjtë polarë, maskotat tradicionale të Coca-Cola-s, ndajnë një Pepsi në një parodi të kiss cam të vitit të kaluar; George Clooney shfaqet në një spot të Grubhub për të promovuar dërgesën falas për porosi 50 dollarë e sipër; Uber Eats rekruton Matthew McConaughey-n për të bindur Bradley Cooper-in dhe Parker Posey-n se futbolli është një komplot për t’i bërë njerëzit të kenë uri. Dhe reperi 50 Cent tallet me Sean “Diddy” Combs për DoorDash. Nuk mungon fokusi te mirëqenia dhe mjekësia. Octavia Spencer dhe Sofia Vergara i nxisin njerëzit të bëjnë testin për sëmundjet e veshkave për Boehringer Ingelheim dhe Mike Tyson flet për vdekjen e motrës së tij nga obeziteti në një promovim që i nxit njerëzit të hanë ushqim të shëndetshëm, jo të përpunuar (gjithçka e financuar nga MAHA Center Inc., një organizatë jofitimprurëse e drejtuar nga Tony Lyons, botues dhe aleat i ngushtë i Sekretarit të Shëndetësisë së SHBA-së Robert F. Kennedy Jr.). Barnat GLP-1 për humbje peshe gjejnë hapësirë gjatë Super Bowl-it. Novo Nordisk promovon pilulat e reja Wegovy, kompania e telemjekësisë Ro mbështet GLP-1-at e saj përmes Serena Williams dhe Hims & Hers premton t’u japë të gjithëve akses në një kujdes shëndetësor më të mirë, jo vetëm të pasurve.
Një nga reklamat më të paharrueshme të Super Bowl-it të këtij viti promovon të ashtuquajturat Trump Accounts, një program i ri investimi i mbështetur nga qeveria për fëmijët. Spot-i financohet nga Invest America, një grup advokimi me lidhje me liderë biznesi dhe aleatë të Trump-it. Në reklamë, një montazh fëmijësh u kujton shikuesve se “çdo fëmijë amerikan merr një llogari investimi” dhe se “miliona do të parapaguhen”. Trump Accounts, të quajtura edhe llogari 530A, u krijuan si pjesë e Big Beautiful Bill të administratës, miratuar vitin e kaluar. Fëmijët e lindur mes viteve 2025 dhe 2028 kanë të drejtë për një kontribut unik nga Thesari prej 1.000 dollarësh, ndërsa prindërit mund të shtojnë deri në 5.000 dollarë në vit. Prania në Super Bowl është vetëm një pjesë e një lançimi më të gjerë që përfshiu një tabelw gjigante në Times Square, një samit prezantimi të transmetuar drejtpërdrejt nga Uashingtoni dhe një faqe interneti që u lejon prindërve të regjistrohen përmes deklaratave të tyre të të ardhurave. Sipas Shtëpisë së Bardhë, mbi 1 milion familje janë regjistruar tashmë. Falë Super Bowl-it.
