Një burrë 50 vjeç dhe vajza e tij 11-vjeçare u vranë në sulmet ruse që u kryen gjatë natës në Zaporizhja, në juglindje të Ukrainës, teksa ofensiva ushtarake e Rusisë në lindje nuk po shfaq shenja se po dobësohet.
Shërbimi shtetëror i emergjencave në Ukrainë po ashtu raportoi se një grua 46 vjeçe, që u përshkrua si gruaja dhe nëna e viktimave, u nxor nga rrënojat.
Anatoliy Kurtev, sekretar i këshillit të qytetit, tha se një shtëpi u shkatërrua dhe disa ndërtesa përreth u dëmtuan, pasi sulmit me dy raketa ruse.
“Terroristët e mallkuar rusë sulmuan sërish Zaporizhjën dhe sërish kemi humbje të jetës”, shkroi ai në Telegram.
Sulmi vjen teksa forcat pushtuese ruse po vazhdojnë ofensivën e tyre në lindje të Ukrainës, me ushtrinë e Kievit që ka raportuar se forcat e tij kanë zmbrapsur mbi 50 sulme gjatë ditës së kaluar.
Në deklaratën e lëshuar më 9 prill, Shtabi i Përgjithshëm tha se ushtria ruse po vazhdon të sulmojë lindjen, me fokus në qytetet e Limanit, Bahmutit, Avdijivkës dhe Marjinkës, që gjenden në rajonin e Donjeckut.
Sipas ushtrisë ukrainase, forcat ruse kanë kryer mbi 40 sulme ajrore dhe katër me raketa më 8 prill.
Presidenti rus, Vladimir Putin, që po përballet me një urdhëarrestim nga Gjykata Penale Ndërkombëtare, ka urdhëruar ushtrinë e tij që të marrë kontrollin e plotë të Donjeckut, Luhanskut, Zaporizhjës dhe Hersonit, zona që Rusia pretendon se ka aneksuar paligjshëm. Ukraina ka sinjalizuar se shumë shpejt do të nisë një kundërofensivë për të rimarrë më shumë territor të humbur.
Në adresimin e tij në mbrëmjen e 8 prillit, presidenti ukrainas, Volodymyr Zelensky, theksoi se ka “lëvizje pozitive drejt NATO-s”, duke përmendur ndihmën e re ushtarake për Ukrainën, por edhe sinjale të tjera të mbështetjes ndërkombëtare.
Zelensky iu referua Lituanisë që ka propozuar që Ukraina të ftohet që të bëhet anëtare e NATO-s gjatë samitit të aleancës ushtarake që mbahet në kryeqytetin lituanze në korrik.
Parlamenti i këtij shteti baltik vendosi gjatë kësaj jave që të kërkojë që Ukraina të ftohet t’i bashkohet aleancës gjatë samitit që do të mbahet më 11 dhe 12 korrik.
Zelensky foli disa orë pasi kreu i organizatës për shpëtimin e ukrainasve tha se ka kthyer 31 fëmijë nga Rusia, ku ishin dërguar gjatë luftës.
Gjykata Penale Ndërkombëtare ka lëshuar një urdhërarrestim më 17 mars ndaj Putinit dhe komisioneres ruse për të drejtat e njeriut, Maria Lvova-Belova, duke i akuzuar ata për rrëmbimin e fëmijëve nga Ukraina.
Komiteti Ndërkombëtar i Kryqit të Kuq tha gjatë kësaj jave se ka qenë në kontakt me Lvova-Belovën.
Sipas AP-së, zëdhënësi i Kryqit të Kuq, Jason Straziuso tha se organizata ishte në kontakt me Lvova Belovën “në linjë me mandatin për të rivendosur kontakte midis familjeve të ndara dhe për të lehtësuar bashkimin e tyre”./rel