“Ba, unë ia dola!” gazetarja Beti Njuma realizon më në fund ëndrrën e të atit (VIDEO)

Gazetarja Beti Njuma ka mbërritur në kampin bazë të Everestit, i cili ndodhet në 5364 metra lartësi, pas 8 ditësh udhëtimi së bashku me një ekip nga Shqipëria dhe Kosova. Në një postim në Facebook, Njuma tha se këtë arritje ia dedikon babait të saj Shefki Njuma, i cili ka qenë alpinist i 17 Nëntorit dhe trajner i të rinjve të klubit Tirana.

Gazetarja tha se ky dedikim ka një vlerë të madhe për të pasi i ati i saj kishte ndërmarrë të njëjtën ekspeditë në vitin 2003 por nuk arrit të mbërrinte në kamp për shkak të problemeve shëndetësore.

“Është një kënaqësi e madhe që pas 8 ditësh të lodhshme, të vështira, sfilitëse të kësaj ekspedite me km të tëra ecje më në fund ndodhemi me ekipin shqiptar dhe të Kosovës në kampin bazë të Everestit, në këmbët e çatisë së botës, në majën më të lartë. Është vërtet kënaqësi të ndodhesh këtu ku vijnë mijëra turistë nga mbarë bota. Unë këtë arritje të jetës time, të hobit, të kënaqësisë, të pasionit tim do të doja t’ia kushtoja një njeriu shumë të veçantë në jetën time. Duket dhe nga bluza, këtë ngjitje në kampin bazë të Everestit dua t’ia kushtoj babait tim, alpinistit të 17 Nëntorit dhe trajnerit të të rinjve të klubit Tirana, profesorit Shefki Njuma. Babai ka qenë në vitin 2003 në ekspeditën në kampin bazë të Everestit, për shkak të probleme shëndetësore nuk ia arriti dot të vinte këtu, por: Ba, unë ia dola! Një puthje për dy fëmijët e mi dhe një përqafim për mamin. Ju dua shumë”.-u shpreh Njuma.