Avokati Arben Llangozi, në një intervistë televizive, tregoi për një rast personal ku klientja e tij ka marrë vendimin e rëndë (vetëvrasje), për shkak të përndjekjes dhe shpërndarjes së fotove intime nga nga një person.
Referuar rastit më të fundit ku një 27-vjeçare, i dha fund jetës pasi në Tik Tok iu shpërnda një foto intime, Llangozi tha se rasti që ai ka pasur ka qenë edhe më i rëndë.
Sipas avokatit, vajzat nëse dua të denoncojnë një rast të përndjekjes ose duan të tregojnë për një problem, në polici jo vetëm që nuk ndihmohen por edhe bullizohen e ngacmohen nga uniformat blu.
“Në polici në qoftë se një vajzë, nga një familje me tradita, shkon përpara policisë ajo do të bullizohet më shumë se sa është bullizuar në rrjete sociale. Vetë policia e bën. Ata e bëjnë më keq, ndërkohë që vajza mund të ketë nevojë për mbështetje, ndërkohë që nuk do gjejë mbështetje por do të keqtrajtohet. Para disa kohësh, një prind denoncoi në komisariatin numër 1 që i është larguar vajza dhe kemi disa mesazhe të turpshme, që shefat e policisë e shihnin nga ballkoni nëse një vajzë kishte moshë apo jo. Këtu nis problematika e zgjidhjes.
Nëse Policia dhe Prokuroria do të merrnin masa ekstreme për këto raste mendoj që nuk do të ishte aq problem Tik Tok-u. Vetë toleranca dhe që njerëzit nuk shkojnë të denoncojnë se nuk kanë besim tek institucionet sjell pasoja të tilla. Unë si avokat kam pasur edhe një rast të tillë si i kësaj vajze (27-vjeçares që i dha fund jetës), përfundoi me fatalitet. Në Prokurorinë e Beratit u vendos të mos nisej procedimi penal, ku niveli i përndjekjes ishte shumë më i lartë se ky rast. Ai kishte hapur rrjete sociale në emrin e saj, shpërndante foto intime, etje. Pavarësisht se tregohej se ishte një përndjekje, prokuroria nuk mori masa”, tha avokati.
Në lidhje me këtë situatë foli edhe avokati Kujtim Ibra, i cili u shpreh se Tik Tok-u në Shqipëri duhet të ishte mbyllur me kohë, për shkak të rasteve të vazhdueshme të kërcënimeve dhe problematikave të tjera.
“Ky është një rast tragjik, një nënë me një fëmijë të mitur nga mbrapa, ku pas një bashkëjetese me një shtetas nga Republika e Kosovës ishte në prag divorci, krijohet një tjetër dramë familjare me një fëmijë jetim (27-vjeçarja që i dha fund jetës). Probleme të llojit të Tik Tok-ut dhe Facebook-ut, është shumë shqetësuese për shoqërinë shqiptare.
Tik Tok-u për mendimin tim duhet të ishte i mbyllur me kohë në Shqipëri, pasi në 80% të rasteve përdoret për shantazh gjobëvënie bullizim deri në shkaktimin e rasteve të vetëvrasjes. Nuk është se në Tik Tok marrim ndonjë kulturë të nevojshme, përjashto fjalorin denigrues dhe fyes, deri në nxjerrjen e fotove, siç është rasti i fundit i Kamzës. Kemi edhe raste të tjera ku në Tik Tok një fyerje ose situatat tjetër ka degraduar deri në përplasje me armë“, u shpreh ai.