Situata nga zjarret në zonën e Gramshit vijon të mbetet kritike ndërsa nuk kanë munguar akuzat e banorëve ndaj autoriteteve për shuarjen e zjarreve.
Një banore e zonës u shpreh për mediat se flakët kanë qenë të dukshme një ditë më parë ndërsa policia dhe zjarrfikësit janë paraqitur ditën e sotme pasi situata doli jashtë kontrollit.
“Që dje atje lart ka qenë flaka. Policia ka ardhur sot në orën 9:00 të mëngjesit. Kush del nga bashkia jonë, kanë ardhur kot sot, ata erdhën pasi u përvëluam. A jam dëmtuar? Kam punuar gjithë jetën për atë shtëpi dhe ika se u përvëluam.
Përse nuk erdhën dje avionët, erdhën sot. Tetë avionë mbushën një kovë me ujë dhe ikën. E di sa janë djegur atje në fshatin tonë? Janë djegur gjithë ata që kanë punuar një jetë të tërë.”-tha banorja.
Banorët u shprehën më tej se edhe pse distanca nga rruga kryesore deri tek shtëpitë e tyre ishte shumë e vogël, përsëri zjarrfikësit nuk kanë mbërritur në kohë. Banorët theksojnë se janë djegur dhjetëra shtëpi për të cilat kanë investuar prej vitesh.
“Nuk ishin as 50 metra larg dhe nuk erdhën. Ishin vetëm 4 familje. Atje është një familje akoma. 50 metra ishin nga rruga dhe nuk u mbrojtën.”-tha një tjetër banor.
Qindra banorë në zonën e Gramshit janë evakuuar nga autoritetet si pasojë e flakëve që kanë përfshirë disa fshatra.
Një 80-vjeçar humbi jetën si pasojë e flakëve ndërsa rreth tetë të tjerë janë paraqitur në spital në gjendje të rëndë si pasojë e asfiksisë.