Avionët amerikanë mbi Bosnjë, shenjë paralajmërimi ndaj thirrjeve serbe për shkëputje

Dy avionë ushtarakë amerikanë fluturuan mbi Bosnjë të hënën në një shfaqje të mbështetjes për tërësinë e vendit ballkanik përballë politikave ndarëse të udhëheqësit pro rus të serbëve të Bosnjës, Milorad Dodik.

Avionët F-16 fluturuan si pjesë e stërvitjes së përbashkët me forcat boshnjake. Fluturimet u kryen në rajonet e qytetit lindor të Tuzlës dhe në veri të Bërçkos, sipas një deklarate nga ambasada e Shteteve të Bashkuara në Sarajevë.

“Kjo stërvitje dypalëshe është një shembull i bashkëpunimit të përparuar ushtarak që i kontribuon paqes dhe sigurisë në Ballkanin Perëndimor, si dhe demonstron përkushtimin e Shteteve të Bashkuara për të garantuar tërësinë tokësore të Bosnjës e Hercegovinës përballë veprimtarive kundër (marrëveshjes) së Daytonit”, thuhet në deklaratë.

“Shtetet e Bashkuara kanë nënvizuar se Kushtetuta e Bosnjës dhe Hercegovinës nuk përmban të drejtën e shkëputjes dhe do të veprojë nëse dikush përpiqet të ndryshojë këtë element themelor” të marrëveshjeve të paqes së Dejtonit që i dha fund luftës së viteve 1992-95 në vend, theksohet në deklaratë.

Konflikti etnik në vitet 1990 shpërtheu pasi serbët e Bosnjës donin të krijonin shtetin e tyre dhe t’i bashkoheshin Serbisë fqinje. Më shumë se 100,000 njerëz u vranë përpara se lufta të përfundonte me një marrëveshje paqeje të ndërmjetësuar nga Shtetet e Bashkuara, e cila krijoi entitetet serbe dhe boshnjako-kroate që mbahen të lidhura nga institucionet e përbashkëta.

Milorad Dodik, i cili është president i entitetit serb të quajtur Republika Serbe, ka sfiduar sanksionet amerikane dhe britanike mbi politikat e tij. I mbështetur nga Rusia, ai ka kërcënuar vazhdimisht se do të shkëpus gjysmën e drejtuar nga serbët nga pjesa tjetër e Bosnjës.

Vendet perëndimore kanë frikë se Rusia mund të përpiqet të nxisë telashe në Ballkan për të shmangur vëmendjen nga agresioni i saj në shkallë të gjerë në Ukrainë, i cili u nis nga Moska gati dy vjet më parë. Në deklaratën e ambasadës amerikane thuhet se “Bosnja është një partner thelbësor i Shteteve të Bashkuara me një objektiv të përbashkët qëndrueshmërinë rajonale”.

Qeveria e Dodikut filloi të hënën kremtimin e një feste të diskutueshme kombëtare që gjykata e lartë e Bosnjës e ka shpallur të paligjshme. Më 9 janar të vitit 1992, serbët e Bosnjës shpallën krijimin e një shteti të pavarur në Bosnje, gjë që çoi në gjakderdhje.

Mediat boshnjake raportuan se zhurma e avionëve mund të dëgjohej në qytetin veriperëndimor të Banja Llukës, kryeqyteti i entitetit serb, gjatë një tubimi ceremonial atje. Në një fjalim Milorad Dodiku përsëriti se “qëllimi i popullit serb është një shtet serb në këto zona”, raportoi televizioni rajonal N1.

Milorad Dodiku ironizoi me fluturimet duke thënë ato do të kontribuojnë në festimet e së martës, të cilat zakonisht përfshijnë një parakalim të policisë së armatosur dhe shfaqjen e pajisjeve të tyre.

Reuters: Dodiku zbuti fjalët rreth shkëputjes

Udhëheqësi i serbëve të Bosnjës i tha të hënën agjencisë së lajmeve Reuters se nuk kishte plane për të kërkuar shkëputjen, duke u tërhequr nga thirrjet e mëparshme për një republikë të ndarë, mes shtimit të trysnisë nga Shtetet e Bashkuara.

Në vitin 2021, ai shkaktoi krizën më serioze politike që nga lufta e viteve 1992-95, kur tha se do të tërhiqte rajonin nga institucionet kryesore shtetërore të Bosnjës, si gjyqësori, sistemi i taksave dhe forcat e armatosura të përbashkëta. Ai nuk e përmbushi kërcënimin, duke thënë se do të priste një moment më të përshtatshëm gjeopolitik për të.

Por ai i tha agjencisë së lajme Reuters në një intervistë në Banja Llukë të hënën se shkëputja nuk ishte pjesë e planit të tij.

“Ne nuk bëjmë thirrje për revolucion. Ne nuk po përgatitemi për luftë, ne po përgatitemi për vendime politike në nivel të parlamentit shtetëror dhe në nivel të parlamentit të Republikës Serbe”, tha Milorad Dodik.

Ai tha se dialogu politik midis grupeve etnike në Bosnje është i nevojshëm për të siguruar autonomi më të madhe për entitetin serb.

“Në fazën e parë, ne duhet të sigurojmë dialog midis partive politike në Bosnje, pa pjesëmarrjen e të huajve, në mënyrë që të sigurojmë një marrëveshje të qëndrueshme. Përndryshe Bosnja nuk ka të ardhme”, tha ai.

Në intervistë, Dodiku foli hapur kundër asaj që ai e quan ndërhyrje ndërkombëtare në çështjet e Bosnjës, në të cilën një i dërguar ndërkombëtar i paqes ka fuqi ekzekutive për çështjet që kanë të bëjnë me zbatimin e marrëveshjes së Dejtonit.

Ai tha se nëse i dërguari aktual Christian Schmidt do të përpiqej të vizitonte Republikën Serbe do t’i kërkohet të largohej. Dodiku tha se mandati i zotit Schmidt është i paligjshëm pasi nuk u konfirmua nga Këshilli i Sigurimit i OKB-së, ku aleati i madh i serbëve, Rusia, ka të drejtën e vetos.

Ai tha se të huajt nuk duhet të kenë asnjë rol në politikën e Bosnjës, duke përfshirë Gjykatën Kushtetuese në të cilën punojnë tre gjyqtarë ndërkombëtarë së bashku me dy gjyqtarë nga secila prej tri etnive – boshnjakët, kroatët dhe serbët.

Bosnja synon anëtarësimin në Bashkimin Evropian, por përpjekjet kanë ngecur për shkak të reformave të ngadalta dhe ndarjeve të brendshme.


Shtuar 8.01.2024 21:22