Presidenti i Lituanisë Gitanas Nauseda tha këtë të enjte se Lituania dhe Polonia kanë nisur tashmë bisedimet për formimin e një qendre të përbashkët rajonale logjistike për sistemet HIMARS.
“Institucionet e të dy vendeve tashmë kanë filluar të punojnë për këtë çështje dhe shpresoj se ne mund të jemi vërtet një shembull tjetër i miqësisë midis Lituanisë dhe Polonisë”, u tha Nauseda gazetarëve pas Forumit të Industrisë së Mbrojtjes në Poloni.
Ai deklaroi se si Polonia ashtu edhe Lituania po planifikojnë të blejnë sistemet HIMARS.
“Me sa di unë, një pjesë e HIMARS-it tashmë ka mbërritur në Poloni, ne jemi ende në pritje, por do ta kemi në vitet në vijim. Prandaj do të ishte me të vërtetë e përshtatshme të krijonim një qendër rajonale që mund ta përdorim”, tha lideri lituanez i pyetur nga gazetarët nëse e ka diskutuar këtë çështje me presidentin polak Andrzej Duda.
Duda theksoi se kjo temë është duke u diskutuar, por se zbatimi i një projekti të tillë mund të marrë pak kohë, pasi dërgimi i sistemeve të artilerisë sapo ka filluar.
Ai shtoi se Lituania dhe Polonia kanë “interesa të përbashkëta të sigurisë”.